Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Avokat Sprtak Ngjela ka kërkuar mbështetjen e Këshillit Kombëtar të PD, për konkurrimin e tij për kryebashkiak. Që me shpalljen e tij si kandidat, Ngjela konfirmoi mbështetjen politike nga lidershipi i PD.
Avokat Sprtak Ngjela:- “Flitet poshtë e përpjetë, që nuk mund të ketë sukses një kryetar bashkie, që s’ka qeverinë, absolutisht nuk qëndron. Kryetari i bashkisë së Tiranës është shumë i fortë në qoftë se ka mbështetjen politike të partisë së vetë. Në qoftë se do shkëputet nga mbështetja politike e partisë së vetë siç mund na ka ndodhur ndonjë rast, natyrisht që do jetë i dobët, por s’është vetëm mbështetja politike, por mbështetja e qytetarëve është kryesorja”.
Por mbështetjen që Ngjela kërkoi nga të gjitha strukturat e Partisë Demokratike, ia siguroi kryetari i tij Sali Berisha. Lideri i opozitës foli vetëm për kandidatin që përfaqëson Tiranën, duke e cilësuar Ngjelën si njeriu i fjalës së lirë.
Sali Berisha:- “Avokati Spartak Ngjela, ky Romeo, por jo i Zhuljetës, por i fjalës së lirë, të cilin e shpëtoi nga fundi tragjik, burgu më i tmerrshëm i europës, burgu i Burrelit. Në rast se padrinoja, do të mbetet kësaj radhe, si kandidati i Lanës, avokati do të jetë fitimtari i Tiranës”.
Këshilli Kombëtar ka diskutuar më pas për organizimin e fushatës në të gjithë vendin, pa praninë e mediave.
Pasdite kandidati i PD për kryetar bashkie në Tiranë Spartak Ngjela ka zhvilluar një takim me banorët e zonës elektorale nr.38 nga ku është zgjedhur dhe deputet. Në takimin e zhvilluar në TOB, Ngjela ka shpalosur edhe njëherë programin e tij elektoral.
Avokat Sprtak Ngjela:- “Unë programin tim e kam ndarë në 4 aspekte, varfëria, problemet e tregut, decentralizimi dhe zhvillimi urban dhe kultura. Që të katërta janë ata faktorë që vijnë dhe konvergojnë në një pikë të cilën ne do ta quajmë mirëqenie dhe mbarëvajtje e qytetit”.
Jam i bindur, se si deputet kam bërë gjithçka ka thënë Ngjela, prandaj tani mendoj të bëjë gjithçka dhe për Tiranën si kryebashkiak.
Avokat Sprtak Ngjela:- “Si parti politike Partia Demokratike, si lëvizje politike mendon që me të gjithë kandidatët e saj, në këtë rast të krijojë, të involvojë një zhvillim të ri në marrëdhëniet shoqërore, midis bashkive, komunave dhe qytetarëve. Ajo që është quajtur decentralizim është zhvillim urban dhe ne do ta bëjmë. Keni për ta parë që do ta bëjmë shumë mirë”.
Tirana tha kandidati demokrat, për kreun e kryeqytetit, ka 120 mijë të papunë dhe ne do të mundohemi të zbusim varfërinë, duke hapur fronte të reja punë./tvklan.al
Gazetare – Elja Zotka