NATO pritet të zgjerojë arsenalin e armëve bërthamore. Këtë e bën të ditur Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg në një intervistë për britaniken “The Telegraph” që thekson se një lëvizje e tillë e aleancës ushtarake vjen pas kërcënimit në rritje të Rusisë dhe Kinës.
“Qëllimi i NATO-s është, sigurisht, një botë pa armë bërthamore, por për sa kohë që ekzistojnë armët bërthamore, ne do të mbetemi një aleancë bërthamore, sepse nëse Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut kanë armë bërthamore dhe NATO jo, është një botë më të rrezikshme.”
Ai paralajmëroi se Kina po investonte shumë në armatimin modern, përfshirë arsenalin e saj bërthamor, i cili tha se do të rritet në 1000 koka bërthamore deri në vitin 2030.
Javën e kaluar, Stoltenberg deklaroi se armët bërthamore janë “garancia e fundit e sigurisë” e NATO-s dhe një mjet për të ruajtur paqen. Nga ana e tij, presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar disa herë se Moska mund të përdorë armë bërthamore për t’u mbrojtur në rrethana ekstreme.
Ai gjithashtu akuzon SHBA-në dhe aleatët e saj evropianë se po e shtyjnë botën në prag të konfliktit bërthamor duke i dhënë Ukrainës miliarda Dollarë armë, disa prej të cilave po përdoren për të goditur objektiva ushtarakë në tokën ruse.
Klan News