Në 5 prill 2022 ishim në Korçë, në ish-konviktin e Ndërtimit, ku ishin strehuar familje të pastreha dhe jetimë. Mes tyre banonte edhe një 63-vjeçar i vetmuar, Andrea Beqiri, i cili për shkak të gangrenës kishte prerë një këmbë. Pasi e mbajtën një muaj në spital, e kthyen në godinën e konviktit, pa njeri që të kujdesej për të.
Fatkeqësisht i sëmuri ndërroi jetë, megjithëse emisioni “Stop” kishte organizuar gjithë sistemimin e tij. “Stop” iu drejtua Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për t’i dorëzuar një kallëzim, duke kërkuar fillimin e hetimeve për Shërbimin Social, si dhe stafin mjekësor, për mjekim të pakujdesshëm.
Gati dy vjet pas kësaj fatkeqësie, flasim me prokurorin Olger Eminaj, i cili na thotë se deri para disa javësh çështja ka qenë nën hetim, por ai ka shkuar në KLP dhe nuk di më se çfarë bëhet me këtë rast.
Pas transmetimit të herëpashershëm të këtij rasti, Prokurorja Anjeza Kallanxhi e ka dërguar këtë çështje për gjykim, duke konsideruar dy mjekë, Vangjush Konstandin dhe Alfons Vranishti, fajtorë për akuzat “neglizhencë në mjekim” dhe “shpërdorim detyre”./tvklan.al