Në Shtator, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj zbuloi se për zonën e Maqellarës do të dhurohej një autoambulancë, që siç deklaroi dhe ai vetë, kishte si qëllim të shkurtonte kohën e përgjigjes në rastet e emergjencës.
“Autoambulancat nuk do të jenë më vetëm të stacionuara në Spitalin e Peshkopisë, por do të shpërndahen në disa pika në Rreth, në mënyrë që të shkurtohet shumë koha e përgjigjes ndaj rasteve që vijnë në urgjencë. Të paktën koha e vajtjes të jetë e eleminuar”.
Kjo deklaratë erdhi pak ditë para se të mbaheshin zgjedhjet për Kryebashkiakun e Dibrës. Por në një vëzhgim të bërë nga emisioni investigativ “STOP”, rezulton se kjo ambulancë vetëm një javë më pas nuk ishte më në punë.
Arsyet e mosfunksionimit janë dy: E para, kjo autoambualncë nuk ka një shofer që ta ngasë dhe e dyta është dërguar dikur për riparim sepse i janë prishur fshirëset e xhamave.
Për gazetaren e “STOP”, Kryeinfermierja Angjelina Muça thotë se kanë bërë një kërkesë për shofer në institucionet përkatëse, por ende nuk ka ardhur njeri, ndërsa sa i përket vendndodhjes, ajo thotë se është duke u riparuar diku.
“Në përgjithësi çdo gjë menaxhohet shumë mirë. Në fakt, zoti Ministër na ka sjellë një ambulancë, por për momentin nuk ka shofer. Ne kemi bërë kërkesë pranë Fondit të Siguracioneve, ISTSH –së, Drejtorisë Rajonale të Peshkopisë dhe shpresojmë që së shpejti edhe kjo do të plotësohet dhe ambulanca jonë do të ketë shofer. ”
Ku është aktualisht ambulanca?
“Siç thashë edhe më parë ka ndodhur një defekt me ambulancën, kanë thyer disa fshirëse xhamash dhe mund ta kenë çuar për të rregulluar këto.”
A mund të interesoheni ju lutem se ku është? Sepse duam të shohim në çfarë gjendje është…
“Në rregull, unë mund t’i bëj një telefonatë drejtorit dhe ta pyes.”
Dhe pasi e merr në telefon, drejtori shpjegon se ambulancën e kanë marrë për të riparuar defektet dhe për t’i bërë dokumentet. Kryeinfermierja shpjegon se edhe Drejtori kaq ka dijeni për fatin e ambulancës./tvklan.al