Zv/Asistenti i sekretarit amerikan për Evropën Juglindore, Stuart Jones, vlerësoi progresin e arritur nga Shqipëria vitet e fundit.
Jones ka vizituar vendin tonë në vitin 1993 e që prej asaj kohe siç dhe konstatoi ndryshimi është i dukshëm.
Jones përmendi në veçanti raportin e fundit të Bankës Botërore ku Shqipëria renditet e dyta për nga reformat e ndërmarra.
Stuart Jones: “Pata mundësinë t’ia them këtë edhe kryeministrit. Progresi është i dukshëm dhe arritje të jashtëzakonshme. Sot po shohim një vend që modernizohet dhe që aspiron të jetë anëtar i Evropës demokratike.”
Jones risolli në vëmendje momentin e nënshkrimit të protokollit për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO firmosur nga presidenti Bush.
Zyrtari i lartë amerikan, përgjegjës për çështjet e Ballkanit në departamentin e shtetit, tha se ky vendim ishte një vlerësim për reformat.
Stuart Jones: “Ashtu siç tha dhe presidenti Bush miratimi i protokollit është një njohje për të gjithë procesin e reformave që kanë ndërmarrë dy vendet. Rruga drejt reformave nuk mbyllet me anëtarësimin në NATO. Jam i bindur, gjë që e konfirmoi edhe presidenti Bush se Shqipëria ashtu dhe Kroacia janë të angazhuara të forcojnë institucionet demokratike.”
Duke folur për Kosovën Jones tha se ka progres në zhvillimet atje dhe çmoi se numri i vendeve që ka njohur pavarësinë është i konsiderueshëm duke u shprehur optimist se ky numër do të rritet ndjeshëm në të ardhmen.
Zyrtari i lartë amerikan vlerësoi rolin e Shqipërisë në këtë proces si një faktor paqeje dhe stabiliteti, por theksin kryesor Jones e vuri në angazhimin e qeverisë shqiptare për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë, që do të lidhe dy vendet duke nxitur dhe forcuar lidhjet ekonomike me të gjithë rajonin.
Jones i bëri komentet në konferencën e ambasadorëve shqiptarë në botë, një organizim i përvitshëm në funksion të reformimit të shërbimit diplomatik shqiptar./tvklan.al