Lajme Arkiva 2003

Kanë vazhduar edhe sot radhët e gjata të studentëve të cilët regjistrojnë pranë Fakulteteve të Universitetit të Tiranës për të marrë pjesë në konkurse për pranime në shkolla të larta. Një prej këtyre fakulteteve ka qenë edhe Fakulteti i Juridikut dhe Shkencave Sociale. Megjithëse dekanati i Fakultetit Juridik kishte shtruar numrin e sekretareve që bënin regjistrimin e kandidatëve për studentë, dhjetëra studentë e prindër dhe të afërm të tyre kanë qëndruar me orë të tjera prapa kangjellave të fakultetit.

Gazetarja: Sa orë keni që prisni?

Qytetarja: Që në orën 6 të mëngjesit.

Gazetarja: Dhe akoma s’keni mbaruar punë?

Qytetarja: Jo akoma.

Studenti: Kam që në 7:00.

Gazetarja: Dhe akoma nuk jeni futur?

Studenti: Do futemi. O sot o nesër. Jemi mësuar me radhën ne nuk është hera e parë.

Qytetari: Kam rreth 3 orë dhe po pres.

Studentja: Unë kam rreth 2 orë. Jo duhet të presësh edhe 4 orë të tjera deri sa të futesh.

Sekretarët e fakultetit thonë se po punohet edhe jashtë orarit që të mbarojnë punë të gjithë të interesuarit dhe në mënyrë të veçantë studentët që vijnë nga rrethe të largëta.

Sekretarja: Janë hapur dy sportele në ndihmë të konkurruesve që të mbarojnë sa më shumë punë. Po rrimë edhe jashtë orarit që sipas rregullave të mbarojnë të gjithë shpejt.

Dekani i Fakultetit Juridik Kudret Çela e shpjegon këtë fluks të madh studentësh me maninë e shqiptarëve për të mbaruar punë që ditën e parë duke mos marrë parasysh se afati i regjistrimit pranë fakulteteve zgjat plot tre javë.

Kudret Çela: Është kryesisht ai ankthi që ka që do të regjistrohet ditën e parë dhe praktikat disa vjeçare kanë treguar që ditët e tjera fluksi bie dhe unë me këtë rast dua ti siguroj ata se askush nuk ka për të ngelur pa u regjistruar qoftë edhe në ditën e fundit, qoftë edhe në orën e fundit.

Por nuk ishte vetëm radha e gjatë problem në këtë fakultet. Përveç efekteve që mund tu japë vapa e madhe njerëzit rrezikojnë të përballen me ndonjë incident, kjo për arsye se godina e këtij fakulteti prej më tepër se një viti i është nënshtruar një rikonstruktimi dhe firma që po kryen punimet nuk ka marrë asnjë masë mbrojtëse për njerëzit që ndodhen në oborrin e godinës dhe nuk është çudi që ndonjë mjet i fortë i rënë padashje nga lart të përfundoj në kokat e tyre./tvklan.al