Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Të gjithë studentët që studiojnë larg qytetit të tyre nuk do të kenë mundësi të votojnë. Ministria e Arsimit ka vendosur dje që shkollat e larta të fillojnë mësimin në datën 1 Tetor, ndërkohë që zgjedhjet lokale zhvillohen në datën 12 Tetor dhe studentët nuk kanë kohë të regjistrohen pranë qendrave të votimit të Qytetit Studenti. Komisioni Qendror Zgjedhor jep një zgjidhje, por dhe kjo është një zgjidhje gjysmake.

Erton Sinani:- “KQZ do të negociojë me Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës për t’i siguruar studentëve një ditë ose më shumë pushim, kohë e mjaftueshme kjo për t’u kthyer në qytetet e tyre dhe për të realizuar të drejtën e tyre për të votuar”.

Shumë student jetojnë në qytete të cilat ndodhen shumë larg vendit ku ata studiojnë, prandaj shpenzimet e udhëtimit janë një arsye më shumë që të mos shkojnë pranë qendrës së votimit ku janë regjistruar për të votuar. Kjo do të thotë që vota e mijëra studentëve shqiptar do të shkojë dëm./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka