Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë prekur nga i ftohti polar që ka sjellë temperatura nën 0 gradë dhe reshje të fuqishme dëbore. Në një lidhje direkte me “Rudina” në Tv Klan, gazetarja e VOA, Menada Zaimi përshkruan situatën e vështirë që ka prekur vendin.

Në disa shtete, është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.Trashësia e borës ka bllokuar qarkullimin e mjeteve duke shkaktuar edhe një mori aksidentesh. Prej tyre ka pasur edhe viktima, por ende nuk ka një numër të saktë për to.

Menada Zaimi: Kjo është stuhia e parë e madhe dimërore për këtë vit të ri. Ka prekur shtetet verilindore dhe juglindore kryesisht, por gjithashtu ka zbritur edhe më poshtë, për shembull në shtete si Teksasi që i përkasin rajonit jugqendror të Shteteve të Bashkuar, temperaturat aty kanë arritur në -10 gradë Celsius. Situata paraqitet më shqetësuese në Kansas, Kentaki, Arkansas, Virxhinian Perëndimore, Virxhinia dhe Merilend ku guvernatorët kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Në disa zona lartësia e borës ka arritur  në 30.48 cm siç është lugina e Ohajos apo ajo që njihet si rrafshina qendrore, në disa pjesë të Kansasit temperaturat kanë arritur në -15 deri në 32 gradë Celsius gjatë natës. Në aeroportin e Kansasit është regjistruar 28 cm borë, më e larta për çdo stuhi në më shumë se 30 vite sipas Shërbimit Kombëtar të Motit. Situata e krijuar për shkak të motit me temperatura të ulëta, akullit të krijuar, borës deri në 30  cm në disa zona, qarkullimi i automjeteve është vështirësuar. Autoritetet u kanë kërkuar banorëve që të shmangin në maksimum udhëtimin por po të kemi parasysh dinamikën e shteteve, shumë amerikanë, në shumë shtete varen te makinat e tyre dhe kjo është shumë e vështirë për ta  shmangur edhe në kohë të tilla jo premtuese, për shkak të temperaturave dhe ka pasur mjaft aksidente rrugore. Policia e shtetit të Misurit tha se u ishte përgjigjur më shumë se 1000 personave që ishin bllokuar në automjetet e tyre, ka pasur rreth 358 aksidente, disa prej tyre edhe me pasoja vdekjen.

Rudina Magjistari: Sa ka arritur numri i viktimave në momentin që flasim? Ka një shifër?

Menada Zaimi: Jo, nuk ka një shifër të qartë lidhur me këtë çështje, ndoshta në ditët në vazhdim, situata do të jetë e tillë përgjatë fundjavës. Nga dita e diel ishin 400 mijë shtëpi dhe biznese në SHBA, në pjesën qendrore dhe jugore të saj që mbetën pa energji elektrike. Situata është përmirësuar disi. Janë 189 mijë biznese dhe familje që vazhdojnë të jenë pa energji elektirke. Janë mbyllur zyra federale, shkolla publike për shembull në Uashington D.C dhe këtu lartësia e borës ka arritur në 12.7 cm në kryeqytetin e vendit deri në mesditën e së hënës, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit. Në disa zona dhe shtete kufitare si Merilendi apo Virxhinia, bora ka rritur në 30 cm. Temperaturat do të vazhdojnë të jenë të ulëta edhe përgjatë gjithë kësaj jave, do të ketë borë këtë fundjavë, ka pasur ndërprerje të energjisë por edhe anulime të fluturimeve. 1900 fluturime janë anuluar si brenda, ashtu edhe jashtë SHBA-ve dhe është krijuar edhe problem me trenat.

Sipas ekspertëve, faktori kryesor që ka sjellë këtë stuhi janë ndryshimet klimatike.

Menada Zaimi: Ekspertët e lidhin këtë me ndryshimet klimatike, e lidhin këtë me rrymat e ngrohta që vijnë nga Arktiku dhe në një mënyrë a në një tjetër krijojnë mot të ftohtë në pjesë të mëdha të SHBA-ve të cilat më parë nuk janë prekur nga temperatura tejet të ulëta, për shembull pjesa qendrore ose jugore e vendit si Teksasi, aty temperaturat kanë arritur -10 gradë Celsius dhe do të ulen edhe më shumë, do të shkojnë në -20 në këto zona.

Momentalisht e deri në fundjavë nuk pritet ndonjë përmirësim pasi janë paralajmëruar reshje të tjera.

Menada Zaimi: Për momentin situata parashikohet të vazhdojë të jetë e tillë, e vështirë edhe me masat  që po marrin autoritetet, sidomos në ato shtete që kanë pasur problematikën më të thelluar, por duke pasur parasysh që Shërbimi Meteorologjik amerikan po njofton për të tjera reshje bore në fundjavë, situata nuk është fort e mirë kështu që vazhdojnë autoritetet t’u bëjnë thirrje qytetarëve që nëse kanë mundësi, të vazhdojnë të shmangin qarkullimin rrugor në ato rrugë që do të jenë tejet problematike dhe shumë problematike edhe për autoritetet që të mund të ndërhyjnë me borëpastrueset dhe të mund t’i pastrojnë ato zona dhe t’i bëjnë ato të kalueshme për banorët./tvklan.al