Një nxënëse 7-vjeçare humbi jetën dhe 6 persona të tjerë u plagosën nga një sulm me thikë në një shkollë fillore në Zagreb. Autor është një 19-vjeçar me probleme mendore, i cili u ndalua nga policia.
Ngjarja ndodhi në orën 09.50 të mëngjesit të kësaj të Premteje, në shkollën fillore të Preçkos, lagje periferike në perëndim të kryeqytetit kroat. Shumica e të plagosurve janë nxënës, ndërsa plagë mori edhe një mësues.
Mediat kroate shkruajnë se autori banon pranë shkollës dhe ka qenë nxënës aty. Pasi kreu sulmin, autori u largua me vrap, drejt një qendre shëndetësore ku tentoi edhe vetëvrasjen, por u ndalua nga forcat e rendit. Gjatë kësaj tentative, ai u vetëlëndua dhe u dërgua në spital.
Mediat po ashtu, ngrenë shqetësimin se detektorët e metaleve, që mund të kishin shmangur ngjarjen e rëndë, nuk janë aktivë prej kohësh dhe ky fakt do të jetë po ashtu pjesë e hetimeve.
Tv Klan