Edhe Ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner, ka konfirmuar mbështetjen e fuqishme të Francës për kandidimin e Shqipërisë në BE. Këtë qëndrim zoti Kushner e shprehu gjatë takimit të veçantë që zhvilloi me kryeministrin Berisha, ku shprehu edhe mbështetjen për liberalizimin e vizave.
Ai theksoi se cilado qoftë data e aplikimit nga qeveria shqiptare Franca do të jetë krah Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Çka e konfirmoi dhe gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin Berisha duke iu përgjigjur interesit të mediave shqiptare.
Gazetare: “A do ta ketë Shqipëria mbështetjen e Francës në procesin e aplikimit për statusin kandidat?”
Bernard Kushner: “Po. Cilado qoftë data, cilido qoftë kalendari i adaptuar me mençuri nga kryeministri, mbështetja e Francës është e sigurt.”
Në takimin me kryeministrit Berisha dhe ministrit të jashtëm Kushner u diskutua edhe për marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve ku kreu i diplomacisë franceze shprehu mbështetjen për rritjen e investimeve franceze në Shqipëri.
Sali Berisha: “Jam shumë i lumtur të gjej të zoti Kushner një vullnet të qartë të i kurajojë investimet franceze në Shqipëri. Ishte një nga kërkesat kryesore që iu bëra mikut tim.”
Ministri i jashtëm francez garantoi gjithashtu se aplikimi i Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE nuk do të ketë pengesa nga asnjë anëtar i BE-së. Madje ai dekori se qeveria shqiptare ka bërë arritje të mëdha të prekshme në sytë e botës.
Po ashtu në fokus të takimit kanë qenë edhe zhvillimet në Kosovë dhe në rajon. Takimi mes kryeministrit shqiptar dhe ministrit të jashtëm francez u përmbyll me një premtim për një vizitë të ardhshme të ministrit të jashtëm Kushner në Shqipëri./tvklan.al