Mbajtja nën fre e çmimit të naftës ka mbledhur në kryeqytetin e Arabisë Saudite liderët e vendeve më të mëdha konsumatorë të arit të zi. Në takimin e mbajtur në Xhedah, veç krerëve të shteteve marrin pjesë dhe përfaqësues të kompanive më të mëdha të naftës. Pjesëmarrësit do të diskutojnë se cilat janë arsyet që çmimi i naftës është dyfishuar brenda një viti, duke kapur vlerën mbi 130 dollarë për fuçi.

Në fund të takimit pritet të bëhet thirrje për hedhjen e hapave të mëtejshëm për stabilizimin e tregut botëror të energjisë, përfshirë ndërtimin e rafinerive të reja. Ndërkaq gjatë javës, çmimet e naftës arritën rekord e ri me 140 dollarë për fuçi duke detyruar Arabinë Saudite eksportuesi më i madh i këtij produkti të premtojë se do të rrisë prodhimin në 9.65 milionë fuçi në ditë.

Si pasojë e situatës së krijuar nga rekordet e njëpasnjëshme të naftës mbarë bota është përfshirë nga protestat. Të gjitha vendet perëndimore e kanë kthyer krizën e naftës dhe ushqimeve në një çështje të sigurisë kombëtare pasi i druhen faktit se rritja e çmimeve do të arrijë të destabilizojë edhe vendet më të zhvilluara. Për herë të parë që nga viti 1973, bota po vuan nga pasojat e një fature më të lartë të produkteve bazë./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle

Montazh: Vilma Halilaj