Basha: Përgjysmojmë varfërinë, taksë 9%, 110 mijë vende të reja pune
Kur na ndajnë tre muaj zgjedhjet parlamentare, demokratët kanë gati programin e tyre ekonomik, të pagëzuar me sloganin “Shqipëria fiton”, përmes të cilit synojnë rimëkëmbjen e ekonomisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Në krah të ekipit që punoi për hartimin e këtij plani, në prezantimin e tij Lulzim Basha foli për angazhime konkrete dhe jo premtime, duke atakuar Kryeministrin Rama për dështim në 8 vite qeverisje.
“I kemi kushtuar këtij plani shumë kohë, po mbushen 2 vite. Sepse këtë herë duam të sjellim para jush një program pune, një program të zbatueshëm që do t’u shërbejë shqiptarëve. Ky është një program që do ta cojë Shqipërinë përpara pas fitores së zgjedhjeve të 25 Prillit. Jeni lodhur nga ata që ju premtojnë botën dhe nuk ju japin asgjë. Kjo kulturë e premtimeve pa doganë dhe braktisjes së tyre totale do të marrë fund. Ndaj nuk kam dalë sot para jush t’ju premtoj gjëra që nuk bëhen realtet. Nuk janë premtime, janë angazhiume të padiskutueshme. Unë sot marr këtë barrë të përgjegjësisë para jush. Jo pas 8 vitesh por direkt në 4 vitet e para. Ka ardhur koha për ndryshim, ka ardhur koha të ndryshojmë Shqipërinë, ka ardhur koha ta largojmë këtë qeveri”.
E nëse shqiptarët do ta votëbesojnë në 25 Prill për t’i qeverisur, objektiv parësor tha se do të ketë dyfishimin e të ardhurave për frymë.
“Dyfishimi i të ardhurave për frymë është objektivi ynë parësor. Koaliconi ynë qeverisës angazhohet përmes programit tonë të të dyfishojmë të ardhurat për frymë. Nuk do të ketë familje shqiptare që do të vuajnë për bukën e gojës. Hapi i parë do të jetë dyfishimi i ndihmës ekonomike për të gjitha familjet në nevojë. Varfëria do të ulet me 50% brenda mandatit tonë të parë. Shtresa e mesme është motori i zhvillimit sepse nxit ecjen përpara të ekonomisë”.
Për të përgjysmuar varfërinë, detyrën si Kryeministër angazhohet ta nisë nga hapja e vendeve të reja të punës dhe rritja e pagës minimale, pa harruar edhe indeksimin e pensioneve.
“Angazhimi jonë i parë është minimumi 110 mijë vende të reja pune përmes përmirësimit të klimës së biznesit dhe tërheqjes së investimeve të huaja. Unë angazhohem të rris pagën minimale dhe ta çoj atë në 36 mijë lekë të reja në muaj”.
E që të ndodhë rritja e pagës, nevojiten lehtësira fiskale për biznesin. Për këtë të fundit, në programin ekonomik, demokratët kanë menduar uljen e një sëre taksash, duke rikthyer taksimin e sheshtë 9% duke hequr taksën prej 24 Lekësh të karburantit dhe duke ulur çmimin e energjisë.
“Angazhohem t’i ul taksat personale nën 9% duke ruajtur fashën mbrojtëse ekzistuese prej 30 mijë Lekësh. Angazhohem të ul sigurimet shoqërore në vlerën 18%. Një nga vendimet e para të qeverisë do të jetë anulimi i taksës Rama prej 24 lekë të reja për litër për karburantin. Për çdo pronar automjeti, për gjithë ata që nuk kanë një automjet, prej ditës së parë të qeverisë së re çdo litër karburant do t’ju kushtojnë 240 lekë të vjetra më pak se sa ju kushton sot. Taksa Rama mbi karburantin do të eliminohet. Angazhohem se në fund të mandatit, pensionet mesatare shqiptare të kenë kaluar pensionet mesatare të rajonit. Angazhohem të ul çmimin e energjisë elektrike dhe të karburanteve”.
Bujqësia është një ndër sektorët prioritarë në programin e Partisë Demokratike, ku fermerëve u premtohet mbështeje e drejtpërdrejtë.
“Për herë të parë, me qeverinë e dalë nga vota e 25 Prillit fermeri shqiptar do të ketë të njëjtën mbështetje si fermerët e vendeve fqinje. 100 milionë Euro mbështetje direkte, si dhe sigurimin e fondeve për çdo kulturë bujqësore ose blegtorale”.
Nuk mjaftohet vetëm me anulimin e ligjit për arsimin e lartë por shkon edhe më tej në zotimet e tij.
“Ne do të mbulojmë shpenzimet arsimore për tarifat universitare për 90% të studentëve që vijnë nga familje me të ardhura me pak se 640 mijë lekë të vjetra në muaj. Arsimimi, dija, kultura. Tekstet shkollore do të jenë falas për të gjithë ciklin parauniversitar. Arsimi dija, përgatitja e brezit të ri. Ne do të investojmë që çdo fëmije ti jepet mundësi e barabartë për të pasur sukses”.
Një tjetër qasje ofroi në programin ekonomik për të sapolindurit dhe familjet e reja.
“Ne do të mbështesim familjet shqiptare. Çdo familje do të përfitoj për të porsalindurit një pagesë mujore prej 3 mijë lekë të reja për pesë vitet e para të jetës. Çdo vit të qeverisjes time 5 mijë çifte dhe familje të reja do të përfitojnë nga subvencionimi i plotë i interesave të kredive për strehim, çka do të thotë për ju të sapomartuar apo të sapofejuar apo që doni të hidhni këtë hap në jetë por që nuk keni asnjë mundësi as ta çoni nëpër mend blerjen e një banese, se pas 25 Prillit qeveria juaj do të paguajë 100% interesat bankare për çdo kredi që do të merrni për të blerë një apartament apo një banesë. Në fund të mandatit tonë të pare, do të jenë 20 mijë çifte dhe familje të reja që do të kenë siguruar strehim përmes kësaj skeme të subvencionimit të interesave”.
Shëndetësia është një tjetër sektor ku demokratët i qëndrojnë premtimit të bërë një vit më parë nga Lulzim Basha për paga 1200 Euro për mjekët dhe 700 Euro për infermierët.
Tv Klan