Agim Basho tregon në emisionin “Stop” peripecitë me gjobat e Policisë Bashkiake për shkak të një makine tjetër që mbante targën e tij, por të falsifikuar.
Ai u detyrua të ankohet në Policinë Bashkiake, në Bashkinë e Tiranës, bëri denoncim në komisariatin numër 1, u detyrua të gjejë vetë makinën golf 3 me të njejtën targë e sërish nuk mundi t’i heqë gjobat.
Pas interesimit të emisionit “Stop” Agimi mundi të çlirohej nga detyrimi i gjobave të padrejta, ndërsa makina me targa false u sekuestrua.
“Jam pronar i këtij “Golfi 4” dhe më ka ndodhur një problem me këtë makinë. Konkretisht në datën 15 Janar binte shi, mora makinën dhe e parkova te stadiumi Dinamo. I hipa autobuzit dhe shkova në punë si çdo ditë. Kur kthehem nga puna gjej një fletë-gjobë, shkoj te posta që të paguaja gjobën. Aoo e postës më thotë mua që kjo gjobë nuk ka dalë në sistem sot, por ti ke shumë gjoba të tjera që nga Nëntori dhe bëhej fjalë për 8 gjoba. Paguajta një gjobë me vlerë rreth 11 mijë lekë të vjetra. Të gjitha gjobat ishin nga Policia Bashkiake, ndaj shkova dhe i kërkova të më nxirrnin gjobat. I thashë që kam marrë shumë gjoba në të njëjtin vend, por unë nuk e di se ku i bie ky vend. Më tha që edhe ai u bë dyshues dhe mori në telefon policin që kishte emrin te gjobat. I thotë që ka ardhur një qytetar me filan targë e makinë dhe ankohet që nuk ka gjetur fletët e gjobave te xhami. Ai i dërgon një fotografi dhe shikoj që ishte makinë tjetër, nuk ishte “Golf 4”, por “Golf 3″ dhe nuk ishte makina ime”.
Agim Basho tregon se më 18 Janar shkoi pranë komisariatit numër 1 për të denoncuar rastin dhe duke pritur përgjigje, konstatoi se i ishin shtuar dy gjoba.
Të gjitha gjobat kishin vendodhjen në rrugën “Sitki Çiço”, ndërkohë që ai banon te zona e Kodrës së Diellit dhe nuk e lidh asnjë gjë me atë rrugë.
Denoncuesi shprehet se u rikthye më datë 23 Janar pranë komisariatit për të marrë një përgjigje sepse gjobat po shtoheshin, por përgjigjia e vetme që mori ishte se janë lajmëruar patrullat për ta gjetur makinën.
Basho u detyrua të shkojë ta kërkojë vetë këtë makinë, të cilën e gjeti po aty ku i ishin vendosur dhe gjobat.
“Gjej makinën, “Golf 3″ me targat e mia, por targat ishin fallco, dukeshin që s’ishin të rregullta”!
Agimi njoftoi menjëherë policinë, e cila e mori makinën me targa të falsifikuara dhe e çoi pranë komisariatit numër 4, ku më pas shkoi edhe ai me makinën e tij për të bërë ekspertizën.
Ai shton:
“Më thotë inspektorja urdhëro dokumentin e do shkosh të Policia Bashkiake që të të heqin gjobat. Shkoj të nesërmen dhe më thonë që nuk është kompetenca jonë, e ka bashkia. Shkoj te bashkia, më thonë të bëja një kërkesë me shkrim, e bëra dhe më thanë që do të më kthenin përgjigje pas 30 ditësh. Unë si njeri i rregullt prita sa të më kthenin përgjigje. Më vjen me postë, ku thuhej se problemin tim e ka prokuroria.
Llogjika ime më çon që s’kam punë në prokurori! S’ka llogjik që unë si qytetar të shkoj në prokurori, bile ndoshta unë mund të kem bërë një shërbim më shumë në këtë mes për veten time dhe komunitetin, për arsye se kam zbuluar një makinë që ishte me targa fallco, që nesër mund të bënte një krim.
Unë kërkoj të më hiqen gjobat, problemet e tjera që kanë me atë makinë t’i zgjidhi policia e prokuroria!”
Emisionit “Stop” u interesua pranë Prokurorisë së Tiranës në lidhje me targën e falsifikuar dhe pengesës së bashkisë, e cila ishte shprehur që deri në përfundim të hetimeve nuk mund të fshinte gjobat që i ishin ngarkuar Agim Bashos.
Gazetari i emisionit “Stop” sëbashku me denoncuesin iu drejtuan Bashkisë Tiranë për të hequr gjobat, pasi u mor vendimi i pezullimit nga organi i akuzës.
Agim Basho tanimë është në pritje të heqjes së gjobave në emrin e tij dhe për këtë falenderoi emisionin “Stop”./
tvklan.al