Plani spanjoll për rihapjen e bareve e restoranteve

Tavolina të rrethuara me xhama plastikë, që ndajnë edhe bashkëbiseduesit anash dhe përballë njëri-tjetrit. Ky është plani që do të shpëtojë baret dhe restorantet në Spanjë nga falimentimi për shkak të masave bllokuese kundër përhapjes së koronavirusit, që u ka vënë atyre kyçin prej më shumë se një muaji.

Një model i kësaj ndarjeje, ashtu siç planifikohet të ndodhë në plazhet italiane, ka nisur të testohet këtë javë në restorantet e Leganesit, lagje periferike në jug–perëndim të Madridit.

Modeli është propozuar nga një firmë e prodhimit të materialeve plastike, për të plotësuar nevojat emergjente që kjo kategori biznesi ka për të mbijetuar.

“Situata në sektorin e akomodimeve është shumë kritike dhe nëse do të kufizohet më gjatë, shumë njerëz do të kenë vështirësi për të rihapur bizneset e tyre”, u shpreh pronari i firmës së plastikës, Manuel Gil.  

Në bare dhe restorante do të përdoren edhe kamera që masin temperaturën e klientëve, për identifikimin e të infektuarve të mundshëm.

Me lehtësimin e masave që hynë në fuqi këtë javë, qeveria spanjolle po shqyrton të gjitha mundësitë për rihapjen edhe të kësaj kategorie biznesi.

Tv Klan