Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Sot në tregjet ndërkombëtare valutore, dollari amerikan mori një goditje tjetër, duke shënuar sërish nivele mjaft të ulëta të këtyre 3-4 ditëve të fundit ndaj monedhave kryesore, si euros, frangës zvicerane dhe paundit britanik, pas përshkallëzimit të tensionit midis SHBA dhe Irakut. Ndërkohë monedha e përbashkët europiane euro vazhdon të jetë monedha e preferuar e tregjeve valutore, duke u mbështetur sot në orët europiane në shifrat më të larta, që prej Tetorit të vitit 1999, ku 1 euro është e barabartë me 1.066 dollarë.

Dollari duket mjaft i dobët për momentin, dhe kjo situatë është e ngjashme me situatën e vitit 1991, gjatë konfliktit në Gjirin Persik, ku përpara fillimit të luftës, dollari u fundos dhe menjëherë pas qetësimit të situatës dhe rënies së çmimeve të naftës arriti të rikuperonte konsiderueshëm. Këto të dhëna na vijnë nga Banka Italo-Shqiptare.

Në tregun tonë të brendshëm valutor, monedha jonë kombëtare është vlerësuar ndaj dollarit amerikan dhe në krahun tjetër vazhdon të humbas terren ndaj monedhës europiane. Në Bankën Italo-Shqiptare 1 dollarë sot blihen 130.5 lekë dhe shitet 133.5. Ndërsa 1 euro blihet 138 lekë dhe shitet 141.5 lekë./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti