Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Jo e gjithë e djathta mbështet zgjedhjen e Berishës, për të kandiduar Ngjelën si rival të Edi Ramës për bashkinë e Tiranës. Reformatorët e Pollos të cilët ende janë në proces negociatash me PD, e cilësuan këtë hap të kreut demokrat të nxituar. Kreu i grupit parlamentar reformator Ndoka, deklaroi për TV Klan, se ajo çka i intereson realisht reformatorëve, janë zonat ku do të mbështeten kandidatët e tyre.

Nard Ndoka:- “Janë disa bashki të rëndësishme po ashtu si e Tiranës në gjithë vendin, të cilat në një farë mënyrë mund të kompensohen edhe me këtë ngutje të PD”.

Gazetarja:- Do kërkoni bashkinë e Durrësit në këtë rast?

Nard Ndoka:- “Patjetër që do të kërkojmë mbështetje për bashkinë e Durrësit, kuptohet që kandidati për bashkinë e Durrësit i Partisë Demokrate është kandidati më i mirë i mundshëm, për të djathtën në tërësi, bëhet fjalë për zotin Xhaferri”.

Ndërsa vetë Xhaferri për TV Klan komentoi.

Ferdinand Xhaferri:- “Ne kemi qenë pro bashkëpunimit me PD, gjithmonë me shqetësimin kryesor që të përcjellim një imazh tek qytetarët shqiptarë, që PD ka ndryshuar politikën e saj”.

Krejt kundër rrjedhës së opozitës është legalisti Spahia, i cili pretendon të ketë surpriza për kandidatin legalist.

Ekrem Spahia:- “Partia Lëvizja e Legalitetit ka marrë vendimin e saj që të dalë e vetme në zgjedhjet e Tetorit dhe ditët e para të javës së ardhshme ne do të shpallim kandidatin tonë, që do të jetë ndër emrat surprizë të kandidaturave për Bashkinë e Tiranës”.

Republikanët e Mediut dhe aleancistët e Zogajt janë optimistë për atë çka mund të ofrojë Spartak Ngjela.

Fatmir Mediu:- “Kandidatura e zotit Ngjela për gjykimin tim është një kandidaturë e plotë, e cila është jo vetëm thjeshtë kandidaturë përfaqësuese politike, por në një aspekt edhe një pjesë e shoqërisë civile të Tiranës”.

Preç Zogaj:- “Ai është një kandidat që nuk i mungon fantazia, konkurron edhe në fantazi me rivalin socialist”./tvklan.al