Në dëshminë e tij para Komisionit Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-up në Shëndetësi, biznesmeni Ilir Rrapaj ka mohuar që të ketë pasur raporte miqësore me ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj.

Gjatë fjalës së tij, Rrapaj është shprehur se tani mund të thotë se e njeh ish-zv.ministrin pasi shton se ndajnë të njëjtën rezidencë (referuar burgut) prej 15 muajsh.

Në lidhje me koncensionin e “Sterilizimit”, Rrapaj ka theksuar se është vendosur në dijeni nëpërmjet njërit prej ortakëve që në bashkëpunim me të tjerët kishin vendosur që të tentonin të merrnin pjesë në garë.

Albana Vokshi: A e njihni shtetasin Klodian Rrjepaj?

Ilir Rrapaj: Për shtetasin Klodian Rrjepaj, do më lejoni ta ndaj në 2 faza dëshminë time. Për Klodian Rrjepaj, deri para 1 viti, kisha dijeni se çfarë ishte dhe kush ishte, pra në momentin e arrestimit. Kam tashmë 15 muaj që ndaj të njëjtën rezidencë, tani edhe mund të them se e njoh.

Albana Vokshi: A ishit miq apo jo?

Ilir Rrapaj: Fjala mik ka një përkufizim të veçantë në konturet e shqiptarizmit, të kesh mik është një gjë e rrallë. Kam fatkeqësisht bindjen dhe të dëshmuar se ky term është më i abuzuari me dashje apo padashje. Nuk kam asnjëlloj miqësie apo njohje, ashtu sikurse ju thashë, udhëtimi im formativ e shkollor dhe akademik, është i largët nga udhëtimi i zotërisë.

Albana Vokshi: Nuk e njihni nga afër?

Ilir Rrapaj: Jo, nuk e njoh. Nuk e kam njohur në atë periudhë. Vinte nga një fakultet tjetër. E kam takuar pas 20 vjetësh.

Albana Vokshi: Kur u njohët?

Ilir Rrapaj: E kam takuar për herë të parë zyrtarisht në momentin e një aktiviteti të zhvilluar nga qeveria shqiptare. E kam takuar nga afër dhe që kemi shkëmbyer kredincialet në një aktivitet publik tek Pallati i Kongreseve.

Albana Vokshi: Në cilin vit?

Ilir Rrapaj: Diku nga 2013-2014, pas zgjedhjeve parlamentare, është bërë një aktivitet ku nëpërmjet disa personave e kam takuar.

Albana Vokshi: Për çfarë keni folur?

Ilir Rrapaj: Kam folur duke filluar me komplimentat që i kam bërë zotërisë për karrierën, i kam thënë “komplimente për karrierën dhe për vendin sfidues në kohë të vështira”.

Albana Vokshi: A keni folur për koncensionin e sterilizimit?

Ilir Rrapaj: Jo, absolutisht jo.

Albana Vokshi: Si u vutë në dijeni për koncensionin e sterilizimit?

Ilir Rrapaj: Jam vendosur në dijeni nëpërmjet njërit prej ortakëve që në bashkëpunim me ortakët e tjerë kishin vendosur që të tentonin të merrnin pjesë në garë.

Sjellim në vëmendje se Prokuroria gjeti lidhje miqësore mes Rrapajt dhe ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë në atë kohë, Klodian Rjepaj, i arrestuar si dhe udhëtime dhe kontakte me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj (i arrestuar për shpërdorim të fondeve të SASPAC dhe nën hetim me masë “detyrim paraqitje” për “Sterilizimin”).

Për hetuesit, ata duhet të kishin shmangur veten nga procedurat e koncensionit të “Sterilizimit”, por nuk e kanë bërë duke favorizuar biznesmenin. Nën hetim për këtë dosje janë gjithashtu edhe 6 ish-zyrtarë të tjerë./tvklan.al