40% të aksioneve të kompanisë Saniservis dhe 2 shoqëri të tjera tregtare nën administrimin e Ilir Rrapajt, njëra prej tyre në Kosovë, u sekuestruan nga gjykata me kërkesë të SPAK.
Biznesmeni, i arrestuar që në Gusht të 2023 është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për mashtrim me pasoja të rënda, në dosjen e koncensionit të sterilizimit, të cilin e fitoi me kompaninë Saniservis.
Me vendim të Gjykatës së Posaçme, u bllokuan të gjitha pasuritë që këto 3 shoqëri kishin, mes të cilave dy llogari bankare me vlera mbi 285 mijë Euro dhe 113 mijë Lekë. Në sekuestro u vunë edhe 13 makina dhe një apartament në Vlorë.
SPAK thotë se nga hetimet e kryera ka rezultuar se Ilir Rrapaj, nën administrimin e Saniservis fitoi në kushte të konfliktit të interesit, koncensionin e sterilizimit të mjeteve mjekësore në 2015.
Prokuroria gjeti lidhje miqësore mes Rrapajt dhe ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë në atë kohë, Klodian Rjepaj, i arrestuar si dhe udhëtime dhe kontakte me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, nën hetim për të njëjtën dosje në masën e detyrimit për t’u paraqitur.
Për hetuesit ata duhet të kishin shmangur veten nga procedurat e koncensionit, por nuk e kanë bërë duke favorizuar biznesmenin. Nën hetim për këtë dosje janë gjithashtu edhe 6 ish-zyrtarë të tjerë.
Tv Klan