Sali Berisha: “Do vendoset në përputhje me kërkesat e prera të praktikave evropiane dhe Komisionit Evropian, deklarata personale e të ardhurave për të gjithë qytetarët. Ata do të detyrohen t’u paguajnë qytetarëve në fundvit të gjitha taksat e tepërta që kanë paguar. Ata do të mbledhin faturat.”

Të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç do t’i nënshtrohen një sistemi të ri deklarimi të të ardhurave personale siç ndodh në vendet e Bashkimit Evropian.

Ashtu si bizneset edhe qytetarët do të duhet të vetëdeklarojnë të ardhurat vjetore jo vetëm pagën, por edhe të ardhurat nga interesat e kredive, qirave etj.

Ndërsa nga ana tjetër do të mbajnë evidencë për shpenzimet e kryera nëpërmjet faturave tatimore për çdo blerje. Diferenca mes tyre do të tatohet me 10%.

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, sqaron se bëhet fjalë për reformën finale  në sistemin tatimor.

Artur Papajani: “Me futjen e këtij sistemi të ri të taksimit të të ardhurave të individëve, gjithkush do deklarojë të ardhurat në tërësi. Ne i quajmë të ardhurat integrale. Të ardhura nuk janë vetëm ato që merr nga paga një individ. Të ardhurat janë edhe qiraja. Të ardhurat mund të jenë nga interesat nga bankat. Në krahun tjetër do të jetë grupi i shpenzimeve të cilat patjetër që do të jenë të detajuara. Ku do të quhen të njohura për efekte fiskale, kur të panjohura. Dhe diferenca që do rezultojë midis të ardhurave dhe shpenzimeve do të jetë ajo që do të përbëjë  bazën e taksueshme që efektivisht sot është 10%.”

Në rastet kur janë deklaruar më shumë të ardhura nga sa janë përfituar realisht qytetarëve do t’u kthehet diferenca.

Artur Papajani: “Kur personi që ka paguar gjatë vitit në mënyrë paraprake dhe do të rezultojë që në fund të vitit pikërisht kjo bazë e taksueshme, pra diferenca mes të ardhurave shpenzimeve rezulton më e vogël sesa ajo që është e kalkuluar në fillim të vitit, brenda 3 mujorit të parë Ministria e Financave  me anë të organeve tatimore do të bëjë rimbursimin e menjëhershëm të personit të tatueshëm. Kjo është skemë për t’u taksuar, si me thënë për të vënë në binarë çdo transaksion që bëhet në Shqipëri.”

Kreu i Tatimeve shton se ashtu si edhe bizneset deklarimi i qytetarëve për të ardhurat personale do të kryhet në mënyrë elektronike.

Kjo risi në sistemin e tatimeve pritet të nisë nga viti i ardhshëm teksa aktualisht ekspertët po përpilojnë draftin ligjor./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro