Lajme Arkiva 2003

Absolutisht të pafajshëm me gjithë akuzat krijim i bandës kriminale me qëllim trafikimin e kokainës dhe krijim të bandës së armatosur. Me këto fjalë është shoqëruar mbrojtja që kanë bërë të pandehurit e dosjes “Kokaina” në seancën e parafundit të çështjes.

Avokati i të pandehurit Frederik Durda lexoi me dhjetëra faqe ku hidhte poshtë deklarimet e dëshmitarëve Çestari dhe Mateus kundër klientit të tij Durda. Ai konsiderohet si financuesi i organizatës për trafikimin e një sasie të madhe droge nga Kolumbia në Shqipëri.

Vetë Durda i cili ka qenë në gjendje të keqe shëndetësore tha se ishte i pafajshëm. Ai u ankua për dënimin mjaft të rëndë që kërkoi prokuroria në seancën e kaluar, atë me 20 vjet heqje lirie.

Durda kërkon që gjoba prej 30 milionë Lekësh të vjetra të përfshihet në shumën prej 1.000.000 Dollarësh të sekuestruar në banesën e tij dhe të cilën Prokuoria kërkon ta kaloj në favor të shtetit.

Edhe i pandehuri tjetër Arben Përballa mohoi gjithashtu të jetë përfshirë në organizatën kriminale.

“Nuk është ushtruar kontroll në arkivën e zyrës së pasaportave të Komisariatit të Policisë Gjirokastër për gjetjen e dokumenteve që kanë shërbyer për nxjerrjen e pasaportës së shtetasit Arben Përballa. Për ta sqaruar fakte dhe rrethana që kanë të bëjnë me nxjerrjen e kësaj pasaporte siç është bërë në rastin e pasaportës me emrin Nikolla Papa”.

Meqë deklarimet e këtyre dy të akuzuarve kanë vazhduar gjatë mbrojtjen e tij Koçiu dhe të pandehurit e tjerë do ta bëjnë në seancën e ardhshme. Megjithatë në konkluzionet e përgatitura me shkrim nga ish oficeri i policisë gjyqësore Koçiu ai i kërkon gjykatës ta shpallë të pafajshëm si edhe ti rikthehet skafi i sekuestruar pas arrestimit të tij dhe materialet e tjera të cilat i pandehuri pretendon se i janë marrë padrejtësisht.

Akuza kërkoi pak ditë më parë dënimi me 84 vjet burg gjithsej për 6 të pandehurit dhe pagimin e gjobës prej 30 milionë lekësh të vjetra për disa prej tyre./tvklan.al