Lajme Arkiva 2003

Nuk do të lënë institucion pa shkuar për të sensibilizuar qeveritarët në mbajtje të premtimit, Shoqata e të Pastrehëve nga firmat piramidale i është drejtuar bashkisë për të përshpejtuar procedurën e nxjerrjes nga lista të emrave emergjentë pa shtëpi. Kryetarja e shoqatës është takuar me drejtoreshën e burimeve njerëzore, nga ku ka marrë premtimin.

“Në projektbuxhetin që do të paraqitet pranë parlamentit për të miratuar parlamentin duhet të vendoset një zë i veçantë për këtë kategori të pastrehësh. Jo në numër total për të pastrehët në përgjithësi, por duhet më zë të veçantë nga ministria. Ministria nuk e kishte numrin total të të pastrehëve emergjentë të firmave nga bashkia, kështu që ne u detyruam dhe bëmë një bisedë me zonjën Keti Treska dhe ajo ra dakord që do e çojë shkresën me numrin total do e nxjerrin sipas kompjuterit sa janë numri i emergjentëve i kësaj kategorie dhe ajo pastaj do shkojë në parlament dhe do diskutohet projektbuxheti”.

Sipas burimeve nga zyra e zonjës Treska përzgjedhja e emrave që do i përcillet  Ministrisë së Rregullim Territorit pritet te vijë pas miratimit në këshillin bashkiak mbledhja e të cilit nuk është përcaktuar ende, por gratë pa shtëpi nesër do i drejtohen Ministrisë së Financave.

“Më shumë do protestojmë me lule dhe me qirinj nëpër duar për Xha Zenelin që vrau veten për këtë qëllim. Qeveria nuk po merr masë fare”.

“Ne të vdekur e të vdekur jemi. Kur të na varrosin kujt do ti vijë keq për ne që nuk kemi asnjë njeri tjetër ndihmë”.

 Zyra e strehimit në Ministrinë e Rregullim Territorit dhe turizmit bën të ditur që në Shqipëri gjenden 46.000 të pastrehë nga ku 2700 vetë prej tyre numërohen të pastrehë nga firmat piramidale. Nga viti ’92 deri në këtë vit numërohen të jenë strehuar nga kjo zyrë 11.073 persona në të gjithë vendin ndërkohë që vetëm viti 2003 mban numrin total 258 të familjeve që janë strehuar nga ky ent./tvklan.al