Zbulimi i 19 skeleteve në varrin masiv në një lugine pranë malit të Dajtit, 20 vjet pas rënies së regjimit komunist, ka rikthyer në kujtesë ata mijëra të përndjekur politik, të pushkatuar pa gjyq nga diktatura dhe pa një varr për t’u prehur e për t’u kujtuar nga familjarët.
Nisur nga kjo, drejtuesit e shoqatave të ish -të përndjekurve kanë kërkuar sërish largimin nga Gjykata Kushtetuese të Fehmi Abdiut.
Dhe po kështu, edhe largimin nga të gjitha funksionet e larta drejtuese të persekutorëve të tyre, dënimin e krimeve të komunizmit dhe vënien në jetë të ligjit për kapjen e dosjeve.
Për me tepër, ata lajmëruan se do të zhvillojnë një protestë mesditën e 16 Shkurtit përpara gjykatës kushtetuese, të cilën do ta vazhdojnë deri në largimin e ish-persekutorëve nga postet drejtuese të institucioneve publike.
Lili Ndoci: “Ne jemi të indinjuar nga ky degradim në të cilin gjendet kupola, sistemi gjyqësor në vend. E cila vazhdon të ketë si pikë referimi të saj Fehmi Abdiun, kriminelin që urdhëroi varjen në litar të poetit Havzi Nela. Ne sot kërkojmë publikisht largimin nga Gjykata Kushtetuese për Fehmi Abdiun dhe të gjithë atyre që janë në konflikt interesi me krimet e diktaturës. Ne kërkojmë hapjen e dosjeve, të ngrihet dhe të fillojë sa më parë nga puna Instituti i Studimit të Krimeve të Komunizmit, të gjenden dhe të rivarrosen me nderime dhe merita eshtrat e martirëve. Sikurse i kërkojmë qeverisë që të vazhdojë procesin e dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politik.”
Po kështu, përfaqësuesit e shoqatave të ish-të përndjekurve kanë kritikuar ashpër edhe qëndrimin e Partisë Socialiste në lidhje me ligjin e lustracionit.
Lili Ndoci: “Ne mbetemi të revoltuar nga arroganca me të cilën PS-ja i qëndron besnike votimit kundër rezolutës kërkuar nga KE-ja për dënimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri. Sikurse e konsiderojmë të turpshme aleancën e saj me gjyqtarë të inkriminuar në Gjykatën Kushtetuese për të bllokuar ligjin për hapjen e dosjeve.”
Eshtrat e 19 të pushkatuarve nga regjimi pas vitit 1974 tashmë gjenden në proces ekspertize mjekoligjore për t’u identifikuar dhe provuar datën e ekzekutimit të tyre./tvklan.al
Gazetare: Irma Toptani