Lajme Arkiva – TV Klan 2003
“Nesër më mirë se pasnesër” është komedia e përzgjedhur nga Teatri Kombëtar, për çeljen e sezonit të ri artistik. Kjo pjesë e autorit grek Dhimitër Psatha, bën fjalë për një deputet, i cili gjatë fushatës së tij elektorale, ka bërë shumë premtime për të marrë votat e elektoratit të tij dhe kur zgjedhjet mbarojnë përballet me të gjithë ata njerëz, të cilëve u duhet të përgjigjet për premtimet e bëra.
Sipas drejtorit të Teatrit Kombëtar, kjo komedi me situata tepër të këndshme dhe komike është përzgjedhur, pasi ajo i përshtatet shumë situatës parazgjedhore të Shqipërisë që përkon me çeljen e sezonit të teatrit.
Kiço Londo:- “Ne mendojmë, që koha që ne po kalojmë është një kohë që pothuajse ka filluar fushata elektorale, përkon shumë mirë me thelbin e komedisë, e cila është një komedi sa sociale aq edhe politike”.
Aktualisht regjisori Milto Kutali është në fazën e punës në tavolinë, me aktorët e kësaj komedie, ku marrin pjesë emra të njohur të teatrit tonë, si Trebicka, Pasha, Malkaj, Kujovska, Konjari, Fuga etj, si dhe mjaft aktor të rinj, si Nikda Dako, Adriana Tolke etj.
Sezoni do të çelet në datën 20 Shtator në teatrin e Shkodrës, qytet ky që shquhet për një publik artdashës dhe më pas do të shfaqet në Tiranë sipas kalendarit./tvklan.al
Gazetare – Fjodora Fjora