Mjekësia shqiptare nën asistencën italiane realizon për herë të parë një ndërhyrje kirurgjikale në zemër tek një bebe e sapolindur me peshë 3.6 kg.
Falë teknologjisë së fundit të telemedicinës të instaluar në maternitetin “Koço Gliozheni”, mjekët italianë kanë mundur të diagnostifikojnë problemin kardiak të bebes që në barkun e nënës.
Bruno Murizi: “Kolegia ime diagnostikoi këtu në dhomën e terapisë intensive në maternitet një fëmijë që kishte vrimë në zemër dhe ngushtim të aortës. Pas kësaj ne bëmë ndërhyrjen në repartin e kardiologjisë së bashku me doktor Refatllari dhe doktor Baboçin. Për momentin gjërat po shkojnë mirë. E kemi kontrolluar fëmijën dhe duket se gjërat po ecin siç duhet. Është një gjë shumë e bukur duke patur parasysh, se është fëmija i parë kaq i vogël që operohet në Shqipëri”.
Telemedicina e instaluar në spitalin obsetrik-gjinekologjik, falë kontributit të shoqatës “Një Botë për një zemër” dhe projektit “Balkan Heart” është një risi për vendin tonë që do përmirësojë cilësinë e jetës së bebeve.
Bruno Murizi: “Ne kemi sjellë një stacion te telemedicinës dhe mendojmë se ky është një nga risitë teknologjike më të rëndësishme. Ky stacion shërben që ne në Itali në qendrën tonë të mund të shohim ekzaminimet që kolegët tanë shqiptarë bëjnë këtu, praktikisht është si të punojmë në të njëjtin spital, sepse atë që ata bëjnë, ne e shohim në të njëjtën kohë, pra nuk është se imazhet na vijnë më vonë, por i ndjekim ata direkt si të ishim aty. Kështu mendojmë se ky është një sistem që ndihmon për të qenë më afër dhe për të shkëmbyer opinionet dhe njohurit tona”.
Rubena Moisiu: “Në momentin që mjekët tanë dyshojnë që ka diçka që nuk shkon me bebin në këtë moment ne kemi mundësinë të lidhemi direkt me kolegët italianë dhe në atë moment ne marrim një vendim akoma më të formuar dhe më të konsoliduar lidhur me të ardhmen e këtij fëmije. Ne e marrim vendimin për këtë qëkur bebi është në barkun e nënës, pa pritur të lindi dhe pa pritur kur të vija koha kur të jetë shumë vonë”.
Kapja në kohë të hershme e keq formimeve të bebeve dhe më pas ndërhyrja kirurgjikale, është një domosdoshmëri për vendin tonë.
Arben Baboçi: “Në Shqipëri duhet të kemi rreth 250 fëmijë në vit që lindin me të tilla probleme. Sigurisht që fëmijët e porsalindur kanë një problematikë shumë më të madhe dhe nuk është problemi thjesht i kirurgjisë, duhen diagnostikuar herët, mundësisht që në barkun e nënës, pastaj duhen pritur me shumë profesionalizëm kur lindin dhe duhen këta fëmijë që paraqesin vese të tilla dhe pastaj vazhdon zinxhiri që përfundon të korrigjimi kirurgjikal”.
Bruno Murizi: “Mundësitë tuaja janë njëlloj me tonat, në kuptimin që strukturat tuaja janë absolutisht në gjendje që të operojnë edhe fëmijët e vegjël. Kolegët që unë njoh prej 10 vitesh janë absolutisht profesionalisht dhe të aftë”.
Për të realizuar sa më mirë këto ndërhyrje në bebe të sapo lindura, mjekët shqiptarë kanë nisur trajnimin nga homologët e tyre italianë, në mënyrë që operacionet për problemet e ndryshme të bebeve të jenë normale për mjekësinë shqiptare./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami, Eno Luarasi