Një ditë pas arrestimit të 3 mjekëve dhe 2 infermierëve në maternitetin “Koço Gliozheni”, organet e policisë konfirmojnë se operacioni për goditjen e mitmarrjes në këtë institucion shëndetësor vazhdon ende, duke paralajmëruar arrestime të tjera.

Burime të policisë së kryeqytetit bëjnë me dije se kanë marrë denoncime të shumta për mitmarrje edhe për punonjës të tjerë të këtij materniteti. Qytetarë të shumtë pranojnë t’i denoncojnë edhe publikisht rastet e mitmarrjes. Njerëz të thjeshtë që kanë janë detyruar të shesin edhe pasuritë e fundit për një shtrim në maternitet, apo për një ndjekje lindje.

Qytetari 1: “Fillojnë nga dera e parë e policit se edhe ai kërkon dhe mbaron te mjeku që të gjithë me radhë. S’ka marrin njëlloj si me operim si pa operim, po njëlloj të marrin lekë.”

Gazetari: “Sa lekë ju kërkojnë?”

Qytetari 1: “Po 50, 100, 150, 200 me qenë me operim.”

Gazetari: “Po infermierët?”

Qytetari 1: “Po edhe infermieria ashtu, ajo pak më pak se doktoresha kryesore, ata kërkojnë në fund fare lekë, 100, 150, 220. Si të kenë terezinë e vet ata.”

Qytetari 2: “Po sot në mëngjes kam ardhur dhe më kanë sorollatur, unë isha për lindje ik andej, hajde këtej.”

Qytetari 3: “Unë kur të shtrohem në spital të mos paguaj asnjë lek, ilaçet janë shumë të shtrenjta. Kjo lloj mjekësie për mua është e viteve 1960.”

Për mjekët Petrit Rexhepi, Dritan Xhangolli, Lefter Mano si dhe dy mamitë Hyre Reçi dhe Nilka Perhati, burime të policisë thonë se kanë ardhur me dhjetëra denoncime në kohë të ndryshme, çka nënkupton se mjekët dhe infermierët kanë qenë nën vëzhgim prej kohësh.

Blerina Kazaferi: “Ministria e Shëndetësisë dënon aktin e 3 mjekëve dhe 2 infermierëve të maternitetit “Koço Gliozheni”, nën akuzë për korrupsion dhe gjendet në krah të të gjithë pacientëve që kanë kurajën qytetare për të denoncuar fenomene të korrupsionit në sistemin tonë shëndetësor. Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, jo pak e rëndë kërkojmë dhe njëherë mbështetjen e të gjithë faktorëve dhe përfitojmë nga rasti tu drejtohemi dhe njëherë qytetarëve të këtij vendi që të mos bëhen palë e këtij fenomeni kaq të dënueshëm siç është mitmarrja.”/tvklan.al