Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria mbajnë premtimet e dhëna një vit më parë gjatë vizitës historike të presidentit amerikan Georg Bush në Shqipëri. Në inaugurimin e qendrës ditore për gratë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, ambasadori amerikan në Shqipëri John Withers, deklaroi se kjo qendër është një premtim i mbajtur.

John Withers: “Presidenti Bush bëri 2 premtime, që SHBA do të mbështesin arritjen e pavarësisë së Kosovës dhe kjo është realizuar dhe Shtetet e Bashkuara do të bënin të gjithë përpjekjen e tyre për mbështetje të Shqipërisë për anëtarësimin në NATO edhe kjo gjithashtu është realizuar. Por edhe ju i bëtë një premtim zonjës Bush, se pas 1 viti nga vizita e saj, ju duhet të ishit në gjendje të përuroni një qendër të re të kujdesit ditor për gratë dhe kjo është realizuar. Presidenti im është një burrë që e mban premtimin edhe ju gjithashtu”.

Edhe Drejtori i Spitalit Obstetrik Gjinekologjik Halim Kosova, mikpritësi i zonjës së parë amerikane vitin e shkuar, u shpreh se kjo qendër është fal mbështetjes së dhënë nga SHBA.

Halim Kosova: “Unë pata nderin dhe privilegjin të falënderoj zonjën e parë të SHBA-së Laura Bush, për ndihmën e çmuar. Falë kësaj ndihme dhe asistence, ne sot po përpiqemi të krijojmë një model shërbimi shëndetësor”.

Qendra e re ditore për gratë, është financuar nga USAID dhe AMC. Ajo do të jetë pika e parë e kontaktit mes pacienteve dhe mjekëve për përcaktimin e diagnozës dhe dhënien e ndihmës së parë për nënat e reja dhe bebet e sapo lindura./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami

Operator: Petrit Xhaferi

Montazh: Vilma Halilaj