Gjykata e Posaçme refuzon marrëveshjen për “pranimin e fajësisë” mes SPAK dhe ish-kryebashkiakut të komanduar të Kukësit Granit Gjana. Ky i fundit dhe SPAK kishin arritur në marrëveshje lidhur me “pranimin e fajësisë për 2 procedura tenderimi për blerje karburanti. GJKKO urdhëroi kthimin e dosjes për hetim nga ana e SPAK. Marrëveshja parashikonte dënimin e Gjanës me 1 vit e 6 muaj burgim dhe konvertimin në 3 vite shërbim prove dhe si masë plotësuese heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një afat 5 vjeçar. Lidhur me procedurat për të cila akuzohet ish-zyrtari, ka dhënë deklarime edhe ish-kryebashkiaku Safet Gjici.
Nga qelia e burgut ku shlyen dënimin dënimin për shpërdorim detyre pas videoskandalit seksual në zyrën e tij, Gjici tha se nuk i kujtohen detaje.
“Më datë 25 Janar 2024, është bërë marrja në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale e shtetasit Safet Gjici, i cili deklaroi se për shkak dhe të kohës së gjatë aë kishte kaluar, nuk i kujtoheshin detaje rreth ngjarjes, por edhe se një pjesë e mire të kompetencave të tij si kryetar bashkie, ai i kishte deleguar tek n/kryetarët e bashkisë. Gjithashtu, shtetasi Safet Gjici deklaroi se në muajin Prill ishte angazhuar në fushatë elektorale dhe nuk është marrë fare me punët e bashki, për shkak se dhe ligji zgjedhor nuk ia lejonte një gjë të tillë”, thuhet në dosjen e SPAK. Kjo e fundit duhet të vijojë hetimet për të bindur gjykatën mbi fajësinë e Gjanës dhe zbardhjen e veprës penale në dy tenderat.
Klan News