Fajtorët kryesor për mos realizimin e vizitës së presidentit kosovar Fatmir Sejdiu në Maqedoni janë qeveria dhe kryeministri Nikola Gruevski thonë analistët politikë në Shkup.
Sipas analistit Sefer Tahiri, anulimi i vizitës së Sejdiut është pasojë e shpirtngushtësisë diplomatike të Shkupit zyrtar. Mirëpo ai shton se partia shqiptare në pushtet nuk mund të amnistohet nga një pjesë e fajit për dështimin e kësaj vizite.
Sefer Tahiri: “Është një politikë e cila vazhdon të ndikohet nga Beogradi, gjoja në emër të balancimit të raporteve me Serbinë. Ndikimi i faktorit politik shqiptar duhet të jetë më determinant në qeverinë e Maqedonisë, që qoftë në hartimin e strategjive të politikave të brendshme apo edhe të politikave të jashtme. Të merret parasysh edhe mendimi i subjektit politik shqiptar.”
Analisti maqedonas Sasho Oradanovski thotë se vendimi për mos pritjen e Sejdiut në mënyrë zyrtare në Shkup, është i ndikuar nga qeveria dhe VRMRO-DPMNE.
Sasho Oradanovski: “Politika të cilën e promovon kryetari i ri ndaj Kosovës është e pakuptueshme. Kjo sjelle e Ivanovit është e ndikuar nga qeveria, gjerësisht VRMRO-DPMNE dhe Nikola Gruveski. Qëndrimi i kësaj qeverie dhe VRMRO-DEMNE-së ndaj Kosovës është i qartë. Ata do të dëshirojnë që nëse është e mundur njohja e pavarësisë së Kosovës të mos ketë kurrfarë reflektimi faktik në marrëdhëniet mes dy vendeve. Kjo qeveri nuk e fsheh se pavarësinë e Kosovës e ka njohur nën presionin ndërkombëtar, gjerësisht në presionin amerikan.”
Analistët janë të një mendimi se anulimi i vizitës së Sejdiut, negativisht do të reflektohet në raportet mes Kosovës dhe Maqedonisë.
Nga Shkupi për Tv Klan Isen Saliu./tvklan.al