Një ditë pas përplasjes në oborrin e Kuvendit si dhe brenda sallës, policia e Tiranës ka vënë nën hetim 7 deputetë të Partisë Demokratike.

Ata janë Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka, kreu i grupit Gazment Bardhi, Bledion Nallbati, Dashnor Sula, Luan Baçi, Elda Hoti dhe Saimir Korreshi.

Deputetja Elda Hoti është referuar në Prokurorinë e Posaçme, pasi në sallën e seancave plenare të Kuvendit ka hedhur në drejtim të deputetëve një lëndë të lëngshme të paidentifikuar, për të cilën ajo pretendon se ishte parfum. Ndaj 32-vjeçares janë ngritur akuzat e “Kanosjes” dhe “Shkeljes së rregullave mbi lëndët helmuese”.

Ndërsa 6 deputetët e tjerë, në hyrje të godinës së Kuvendit të Shqipërisë, kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë të planëzuar me shërbim. Nga opozita u ngritën pretendime që një efektiv policie ishte me armë në protestë, por nga hetimet e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore nuk ka rezultuar.

Krahas tyre, blutë e kryeqytetit kanë proceduar në gjendje të lirë edhe 6 persona të tjerë, protestues dhe përfaqësues të Partisë Demokratike, të cilët pranë bashkisë dogjën dy goma automjetesh dhe më pas janë bashkuar me grupin e deputetëve dhe kanë kundërshtuar punonjësit e policisë.

Klan News