Shërbimet e Policisë Kufitare, krahas zbatimit të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Kosovës, kanë rritur vigjilencën për goditjen e paligjshmërive në kufi.

Në këtë kuadër, në bashkëpunim me autoritetet doganore, në hyrje të RSh-së, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, automjeti tip “Audi” me drejtues shtetasin malazez F. D.

Gjatë kontrollit u gjetën 15 000 Euro, të cilat ky shtetas po tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin malazez F. D., 49 vjeç, banues në Ulqin, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme./tvklan.al