Thellohet kriza mes demokristianëve. Një pjesë e anëtarëve të kryesisë së kësaj partie të njohur si kundërshtarë të kryetarit Ndoka kanë vendosur që deri në kongresin e jashtëzakonshëm të pezullojnë këtë të fundit duke mos e njohur si përfaqësues të PDK në qeveri.

“Për shkelje të vazhdueshme të statutit e planet e qarta për ta spostuar majtas Partinë Demokristiane nga kryetari zoti Nard Ndoka ne vendosëm, të mos njohë  si kryetar të partisë Demokristiane deri në kongresin e datës 10 maj 2008 zotin Nard Ndoka.”

Anton Gurakuqi: “Zoti Ndoka nuk ka më asnjë tagër, i vetmi tagër i tij është që të dorëhiqet si nga kryetari i partisë si nga ministri i shëndetësisë dhe ta lërë këtë parti të punojë rehat.”

Ndërsa pjesa tjetër e kryesisë, e përbërë nga 10 anëtar nën drejtimin e kryetarit Ndoka, janë duke diskutuar në një mbledhje tjetër e cila po mbahet në selinë e partisë. Ndoka vetëm pak minuta përpara fillimit të saj deklaroi se kriza brenda Partisë Demokristiane i intereson ish-kryetarit Lesi, por dhe segmenteve brenda PD.

Nard Ndoka: “Xhelozia politike i ka verbuar disa politikanë, zotin Lesi të parin. Unë mund t’i bëj një thirrje segmenteve të veçanta të PD të cilët po humbin çdo ditë e më tepër terrenin politik tek ajo parti dhe përpiqen që ta përçajnë edhe Partinë Demokristiane. “

Zef Bushati: “Unë i bëj thirrje zotit Ndoka të merret me problemet e brendshme të partisë dhe mos ta fokusojë  këtë sulm si të iniciuar nga PD.”

Ndoka deklaroi se do t’i kërkojë kryesisë së partisë të shkarkojë dy zëvendës ministrat Gurakuqi dhe Bushati. Kërkesë që sipas tij do t’i paraqitet edhe kryeministrit Berisha duke kërkuar zëvendësimin e tyre me të tjerë përfaqësues të PDK në qeveri./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka