Poli i Lirisë, koalicioni që grupon parti të djathta u zyrtarizua të mërkurën. Partia Demokristiane, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, si dhe Bashkimi Demokrat firmosen themelimin e tij, një grupim politik që dukshëm ka shfaqur ndasitë me dy partitë e mëdha.
Dashamir Shehi: “Partitë e vjetra në këto 18 vjet krijuan demokracitë e kryetarëve të partive, të klaneve të tyre, demokracinë e klaneve të bllokut duke dhunuar dhe uzurpuar liritë tona politike, ekonomike dhe të ardhmen tonë evropiane.”
I angazhuar fillimisht në negocimet për formimin e Polit të Lirisë, Spartak Ngjela nuk ka hedhur firmën në themelimin e tij. Shehi dha këtë arsye për mungesën e kreut të partisë për ligj e drejtësi.
Dashamir Shehi: “Nuk e ka firmosur për faktin e thjeshtë me pretendimin që do të merren me ngritjen e strukturave të partisë dhe ne i mirëkuptojmë duke qenë partia e fundit që vetëm dy javë përpara është krijuar. Sigurisht që ka këto vështirësi”.
Aktualisht me tre parti në përbërje, Poli i Lirisë synon zgjerimin me parti të tjera deri në momentin e regjistrimit pranë KQZ.
Fushatë qytetare, liri për qytetarët, arritje të standardeve evropiane për vendin janë disa nga angazhimet kryesore të koalicionit më të ri politik./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi