Nga sot të gjithë ata që janë në pritje të legalizimit të pronës së tyre private do të kenë mundësinë të mbrojnë ligjërisht interesat e tyre edhe nga një shoqatë jo-qeveritare.
Në Tiranë u prezantua sot “Shoqata për mbrojtjen ligjore të poseduesve të objekteve në proces legalizimi”. Kjo shoqatë është mbarë kombëtare dhe përfaqëson të gjithë qytetarët që gjenden në proces legalizimi, por që ndihen të pasigurt nga politikat e qeverisë.
Themeluesit e shoqatës thanë se arsyeja kryesore pse e ngritën këtë lëvizje është se kanë konstatuar se premtimi i Kryeministrit për legalizim falas, nuk po mbahet, siç del nga projektligji që ka paraqitur qeveria në Parlament.
Gjithashtu, nisma e qeverisë i bën të pasigurta shumë investime që janë bërë edhe pas vitit 2009.
Sipas tyre ka shumë dyshime të bazuara mbi projektet dhe deklaratat e qeverisë, se legalizimi i banesave do të kushtojë disa herë më shumë se sa ishte më përpara.
Përfaqësuesit e shoqatës, u angazhuan që të qëndrojnë me forcë për interesat e tyre, përballë çdo mashtrimi apo politike që nuk i merr seriozisht problemet e tyre. Shoqata do të ofrojë mbështetje dhe asistencë ligjore për çdo qytetar që do të ballafaqohet me veprimet arbitrare të qeverisë. Në cilësinë e kryetarit të kësaj shoqate do të jetë Ali Haziraj dhe anëtarë Petrit Premçi.
TV KLAN