Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka bërë të ditur të hënën se ka reaguar zyrtarisht në Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA) për shfaqjen e flamujve, sloganëve dhe thirrjeve të tifozëve serbë me “mesazhe politike, shoviniste dhe raciste kundër Kosovës”, gjatë ndeshjes Serbi-Angli, në kuadër të Kampionatit Evropian të Futbollit, Euro 2024.
“Shfaqja e papenguar e mesazheve dhe thirrjeve të tilla në një event madhështor si Euro 2024 është e pakuptimtë dhe absurde. Përmes thirrjeve të tilla dëshmohet urrejtja e mbjellë në opinionin publik në Serbi ndaj fqinjve të saj”, thuhet në komunikatë.
FFK-ja ka kërkuar që ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, të merren masa të ashpra disiplinore.
“Thirrjet kundër shtetit të Kosovës në një event madhor si Euro 2024 janë motivim për grupet nacionaliste dhe kërcënojnë sigurinë, edhe ashtu të brishtë të rajonit”, është thënë mes tjerash në deklaratë.
Mediat lokale në Kosovë kanë raportuar që përgjatë ndeshjes Serbi-Angli janë dëgjuar thirrjet si “Kosova është Serbi” dhe që para ndeshjes është djegur flamuri i Shqipërisë.
Ky është edicioni i 17-të i Kampionatit Evropian, i njohur më mirë si Euro dhe në të po merr pjesë edhe Shqipëria, për herë të dytë në historinë e vet, pas debutimit më 2016. Ndeshjet do të zhvillohen në 10 stadiume në 10 qytete të ndryshme të Gjermanisë nga 14 qershori deri më 14 korrik.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës. Dy vendet dialogojnë në Bruksel, për normalizim të marrëdhënieve, qysh prej vitit 2011. Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar./REL