Aksi Thumanë-Kashar, pjesë e Korridorit Blu do jetë gati për automjetet më 30 qershor. E sigurt në këtë afat, ishte ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku teksa së bashku me kryeministrin Edi Rama inspektuan punimet në terren.
Ky investim, i cili shtrihet në Thumanë, Fushë-Krujë, Rinas dhe Vorë, është një pikë e rëndësishme për të shfryrë qarkullimin e rënduar sidomos gjatë sezonit veror, ndërsa një tjetër investim i shumëpritur është ai i autostradës Tiranë-Durrës, akset e të cilave do të shtohen me nga 2 korsi secila.
Balluku thotë se tashmë forcat do t’i kushtohen të gjitha Korridorit 8, i cili lidh vendin tonë me Maqedoninë e Veriut. Gjatë Qershorit lidhen kontratat për segmentet Kashar-Lekaj-Fier dhe Thumanë-Milot, si edhe hapet gara për segmentet Milot-Balldren dhe Balldren-Muriqan, të cilat plotësojnë të gjithë trupin e Korridorit Blu, si pjesë e unazës europiane të turizmit mesdhetar.
Tv Klan