Brenda shtatorit të vitit të ardhshëm aeroporti i Rinasit do të zgjerohet duke dyfishuar kapacitetet pritëse për pasagjerët. Kompania koncesionare Tirana Internacional Airport ka nisur fazën e dytë të modernizimit të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në një ceremoni ku ka qenë i ftuar kryeministri Berisha, ambasadori i SHBA dhe ambasadori gjerman.
Sali Berisha: “Unë shpresoj se ju me fillimin e këtyre punimeve, do filloni të projektoni stadin C të aeroportit të Rinasit. Në tërësi për ata presistojnë gjërat ndodhin më shpejt seç i mendojmë, ne të dy jemi njerëz që presistojmë.”
Për drejtoren ekzekutive të Tirana International Airport zonjën Gebben dhe drejtorin ekzekutiv të HOCHTIEF Airport zotin Kalenda, zhvillimi i aeroportit është pazgjidhshmërish i lidhur me zhvillimet që ndodhin në Shqipëri.
Reinhard Kalenda: “Në mënyrë që të zhvillohet ekonomia e vendit dy kushte duhen përmbushur. Së pari qeveria duhet të jetë në gjendje të bëjë vendin tërheqës për investitorët e huaj. Kushti i dytë është një infrastrukturë funksionale, aeroportet janë qendra të tregtisë ndërkombëtare. Çka do të thotë se janë absolutisht thelbësor për zhvillimin ekonomik të vendit.”
Andrea Gebben: “Pas përmbushjes së shifrës së 1 milion pasagjerëve në vitin 2007, është shënuar sërish një rritje e mbresëlënëse në numrin e pasagjerëve me rreth 19% gjatë 6 muajve të parë të këtij viti, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Çka është kombinuar me një rritje prej 10% në lëvizjet e trafikut ajror. Deri në shtator të vitit 2009 ne do të investojmë afërisht 20 milion euro në zgjerimin e aeroporti në mënyrë që ti përgjigjemi kësaj rritje rritjeje.”
Zgjerimi i terminalit të pasagjerëve në aeroportin e Rinasit do të përfshijë 14 sportele Check in, infrastrukturë për transportin e bagazheve, hyrje të reja, tre sportele për kompanitë ajrore, tre dalje në pistë, si dhe zyra dhe bar-kafe.
Zgjerimi do të shtojë një sipërfaqe 3940 m/2, me një lartësi që varion nga 7-13.5 metër, volumi i objektit do të jetë afërisht 40 mijë m/3. Kjo pamje e aeroportit të vetëm ndërkombëtar Nënë Tereza u arrit pas përfundimit të punimeve për rikonstruktimin e tij. Punime që mbaruan në mars të vitit 20007./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka