Erion Todhe: “Siç e shihni kjo derë është mbyllur, kjo është shkolla “Gustav Majer” dhe këtu brenda ndodhen 4 qendra votimi. Në shkollën “Naim Frashëri” këtu pranë ndodhen 6 qendra votimi dhe aty procesi ka përfunduar. Tashmë komisionet janë duke firmosur procesverbalet, më pas do ti dorëzojnë kutitë e votimit forcave të rendit të cilat do ti shoqërojnë nëpër qendrat e numërimit të votave. Është ora 19:30 minuta dhe 13 qendra votimit që ndodhen këtu janë mbyllur, që do të thotë që procesi i votimit ka përfunduar.”
Në shkollën “Naim Frashëri” forcat e rendit bëhen gati për të marrë në dorëzim kutitë, disa policë vendosen pranë dyerve të qendrave të mbyllura. Vetëm një prej qendrave është mbyllur në orën 19:50 minuta pasi procesi i votimit aty ka filluar rreth orës 8 të mëngjesit.
Në oborret e këtyre shkollave qëndrojnë mbështetës të forcave politike dhe vëzhguesit e tyre, duke pritur për të ndjekur deri në fund largimin e kutive të votimit drejt qendrave të numërimit. Procesi është cilësuar i qetë nga të gjithë komisionerët./tvklan.al
Gazetar: Erion Todhe