Dy ditë pas publikimit nga
tvklan.al
të pamjeve nga kamerat e sigurisë, të një vjedhjeje të ndodhur në një dyqan në zonën e ish – Bllokut, prindërit e autorit kanë kthyer paratë dhe disa prej sendeve, që ndodheshin në portofolin e shitëses.
Pasi kanë parë pamjet e publikuara të shpërndara në rrjetet sociale, prindërit e autorit, një 28 – vjeçar me banim në Durrës kanë vajtur në dyqan tek shitësja e dëmtuar dhe fillimisht kanë kërkuar falje për ngjarjen dhe më pas kanë premtuar kthimin e sendeve të vjedhura.
Pak orë më vonë, vëllai i autorit sëbashku me prindërit kanë kthyer paratë, por jo dokumentet dhe portofolin, të cilat 28 – vjeçari i kishte hedhur poshtë një ure. Për mungesën e tyre ata kanë dëmshpërblyer financiarisht shitësen me para të tjera.
Të vetmen kërkesë që kanë shfaqur është që çështja mos të ndiqet më penalisht nga shitësja.
Nga të dhënat e siguruara rezulton se 28 – vjeçari, në vitin 2012 është dënuar me 6 muaj burg për të njëjtën vepër penale, pasi në një dyqan në qytetin bregdetar kishte arritur të vidhte një kompjuter.
https://www.youtube.com//embed/RLydfce3K88
05 Nëntor – Video/ E njihni këtë person? Shihni si vjedh në një dyqan në Tiranë
Vjedhja pak ditë më parë, në një dyqan që shet syze optike në zonën e ish – Bllokut, ka vënë në vështirësi shërbimet e Komisariatit Numër 2, të policisë së kryeqytetit.
Pavarësisht se nga pamjet e fiksuara nga kamerat e sigurisë dallohet qartësisht autori, policia nuk ka arritur të bëjë të mundur identifikimin dhe arrestimin e tij.
Në këto pamje të siguruar nga
tvklan.al,
nga burime të Policisë së Tiranës, duket qartësisht vjedhja e ndodhur nga një i ri rreth 20 – 25 vjeç, me datën 31 Tetor, në orën 19 e 46 minuta.
E gjithë ngjarja zhvillohet në 35 sekonda, ku në dyqan ndodhet shitësja, dy klientë që po blejnë dhe hajduti.
I kthyer me shpinë nga tre personat, por duke kontrolluar veprimet e tyre nëpërmjet pasqyrës, hajduti ka shfrytëzuar shpërqendrimin e shitëses, e cila po i tregonte klientes me pallto të kuqe, disa lloje syzesh dhe ka arritur t’i marrë portofolin në tryezën e punës.
Duke qëndruar qetësisht përballë tyre, autori e ka fshehur portofolin poshtë rrobave në fundshpinë.
Sipas dëshmisë në vendngjarje, në portofol ndodheshin një sasi parash dhe të gjitha dokumentet e identifikimit të shitëses.
Forcat e Komisariatit Numër 2 të policisë duke u nisur nga këto pamje të publikuara kërkojnë ndihmën e qytetarëve për identifikimin e autorit, i cili dyshohet të ketë kryer dhe disa vjedhje të tjera në zonë.
Për çdo informacion të vlefshëm qytetarët mund të telefonojnë në numrin 112 të policisë. /
tvklan.al