Federata Shqiptare e Futbollit po i jep dorën e fundit përgatitjeve për organizimin e Europianit të 17-vjeçarëve. Në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” është krijuar një hapësirë e re për ndërtimin e një mini-fushe, e cila do të shërbejë për aktivitete të ndryshme stërvitore të ekipeve kombëtare, si dhe për organizimin e aktiviteteve të tjera nga Federata e Futbollit.

Në kuadër të investimeve infrastrukturore që FSHF po ndërmerr në mbarë vendin, është menduar që edhe kjo hapësirë funksionale brenda “Shtëpisë së Futbollit” të shfrytëzohet dhe të kthehet në një ambient praktik dhe të dobishëm për zhvillimin e futbollit.

Ndërkohë, po vijojnë punimet me ritme të larta për ndërtimin e fushës së tretë me bar natyral. Kjo fushë do të jetë gati për Kampionatin Europian U-17 “Shqipëri 2025” dhe do të përdoret gjithashtu për stërvitjet e ekipeve Kombëtare.

Në kuadër të organizimit të Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025” u vendos rinovimi i disa terreneve sportive, ku do të kryhen punime të thelluara në “Selman Stërmasi”, kompleksin “Skënder Halili”, “Tofik Jashari” dhe “Roza Haxhiu”. Po në kuadër të organizimit të Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025”, u mor vendimi për punime të pjesshme në “Niko Dovana”, “Luzi” dhe “Egnatia Arena”.

Gjithashtu, Komiteti Ekzekutiv vendosi të investojë në stadiumin e Vorës, për ndërtimin e tribunës kryesore sipas standardeve të UEFA-s.

Klan News