Debatet dhe kontestimet për marrëveshjen për emigrantët në politikën italiane zbritën edhe në Shëngjin, gjatë vizitës së kryeministres Giorgia Meloni. Deputeti i së majtës Riccardo Magi, Europa Plus, ishte i pranishëm në Shëngjin, në zonën e pritjes së emigrantëve.
Ai po protestonte duke mbajtur një pankartë në duar me mbishkrim “Jo Guantanamos italiane”. Menjëherë pas mbylljes së takimit mes Melonit dhe Magi-t pati dhe replika të ashpra.
“Kryeministre Meloni, badigardët tuaj s’po më lejojnë, e po më dhunojnë. Nëse kjo i ndodh një deputeti, imagjinoni se çfarë mund t’i ndodhë emigrantëve të shkretë. T’ju vijë turp!”, tha Riccardo Magi.
“Kemi sjellë legjislacionin italian e evropian. Europa nuk i donte, ju nuk i donit. Turp të keni ju”, iu kundërpërgjigj Meloni.
E majta italiane reagoi sërish për vizitën e Melonit. Ish-kryeministri Matteo Renzi i Italia Viva, që në zgjedhjet evropiane është në koalicion me Europa Plus tha se ky investim prej 850 milionë eurosh është një shpërdorim i fondeve publike.
Opozita kryesore, Partia Demokratike ka qenë më e ashpër. Liderja e së majtës, Eli Shlein duke e cilësuar si një takim elektoral vizitën e Melonit në Shëngjin, pati sulmuar kryeministrin Rama për këtë marrëveshje duke kërkuar që Partia Socialiste të përjashtohej nga Internacionalja Socialiste.
Tv Klan