Ngritja e temperaturave dhe ndryshimet klimatike ndikojnë në hollimin e shtresës akullnajore në liqenet veriore. Sipas statistikave, sot në liqenet e hemisferës veriore, shtresa e akullit shkrihet 45 ditë më herët në krahasim me një shekull më parë.
Këto ndryshime të mbulesës së ngrirë janë të destinuar të sjellin pasoja të rëndësishme mbi cilësinë e ujit, sasinë e ujit, biodiversitetin, klimën dhe aktivitetet socio-ekonomike. Nëse akujt janë të pranishëm për kohë më të shkurtër, ujërat e liqeneve ngrohen më shpejt dhe për pasojë avullojnë më shpejt. Por ky fenomen mund të favorizojë mbërritjen e specieve jo autoktone, përkeqësimin e ujit, dhe kërcënon ekuilibrat ekologjike, gjë që sjell pasoja në zinxhirin ushqimor, por edhe në ekonominë e lokaliteteve të izoluara në zona malore.
Konkluzionet janë arritur pas një studimi për gjendjen e liqeneve sot në botë, me përshpejtim të dukshëm në 25 vitet e fundit të shkrirjes së akujve, dhe është publikuar në revistën ndërkombëtare “Science”.
Klan News