Energjia është një çështje që po prek çdo dite e më shumë interesat e mbarë botës. Në veçanti të rajonit të Ballkanit. Kështu e ka nisur fjalën e tij Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, në samitin e Sofjes Gazi natyror për europën, sigurinë dhe partneritetin. Furnizimi me energji është një çështje primare dhe nga e cila varet zhvillimi i çdo vendi. Kreu i shtetit shqiptar ka dhënë mbështetjen e tij për dialogun, bashkëpunimin dhe partneritetin ndërmjet vendeve prodhuese, tranzituese dhe konsumatore të gazit.
Bamir Topi: “Shqipëria inkurajon dhe mbështet përpjekjet dhe veprimet konkrete në drejtim të kooperimit dhe integrimit të burimeve dhe të sistemeve të furnizimit me gaz, ndërmjet vendeve të Detit të Zi dhe të Europës Juglindore. Shqipëria si vend anëtar i Komitetit të Energjisë vlerëson, veçanërisht, procesin e fuqizimit dhe modernizimit të sistemeve dhe rrjeteve energjetike, si dhe krijimin e një tregu të hapur funksional, në nivel vendor, rajonal dhe më gjerë, sipas parimeve të Traktatit për krijimin e Komunitetit të Energjisë, për transaksionet, tranzitimet, aksesin e palës së tretë dhe transparencën e tarifave”.
Presidenti Topi ka përfunduar duke thënë se me pjesëmarrjen e saj në këtë Samit Shqipëria konfirmon edhe njëherë vullnetin dhe interesin e saj për tu bërë pjesë dhe për të kontribuar në përpjekjet, furnizimit me energji dhe zhvillimin e rrjeteve dhe infrastrukturave rajonale të energjisë./tvklan.al
Gazetari: Erion Todhe