Pas aksidentit të rëndë ajror ku humbën jetën 179 persona dhe u shpëtuan 2 të tjerë autoritet në Korenë e Jugut kanë urdhëruar një inspektim urgjent mbi sigurinë e të gjitha linjave ajrore të vendit.

Prioritet për momentin sipas presidentit në detyrë është identifikimi i viktimave, mbështetja e familjeve të tyre dhe trajtimi i dy të mbijetuarve.

“Edhe para se të dalin rezultatet përfundimtare, ne do të kërkojmë që zyrtarët të bëjnë transparencë mbi procesin e hetimit dhe të informojnë menjëherë familjet e viktimave”, tha presidenti Choi Sang-mok.

Ministria e Transportit njoftoi planet për të kryer një inspektim të posaçëm të 101 avionëve ‘Boeing 737-800’ që operohen nga linjat ajrore të Koresë së Jugut duke u përqendruar tek mirëmbajtja e tyre. Ka ende shumë të panjohura se çfarë e shkaktoi aksidentin e së dielës.

Hetuesit po shqyrtojnë nëse përplasja me një tufë zogjsh ishte arsyeja se piloti humbi kontrollin e avionit gjatë uljes në në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar Muan.    

Mbetet gjithashtu e paqartë se pse nuk u aktivizuan rrotat e uljes së avionit. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara po dërgojnë një grup hetuesish për të ndihmuar në përcaktimin e shkaqeve të rrëzimit të avionit dhe përplasjes së tij me një mur betoni.

Klan News