Dënimi maksimal për fajtorët e fatkeqësisë në liqenin e Ohrit ku humbën jetën 15 turistë kanë kërkuar zyrtarët bullgarë, të cilët të shtunën në mbrëmje arritën në Ohër.
Presidenti bullgar, Georgi Parvanov, kërkoi përgjegjësinë ta mbart jo vetëm kapiteni i anijes, por edhe ata që kanë dhënë lejen e punës për këtë anije.
Georgi Parvanov: “Unë parashtrova disa pyetje për të cilat autoritetet e Maqedonisë nuk kishin përgjigje konkrete. Përgjegjësinë duhet ta mbart pronari i anijes, por përgjegjësi kanë edhe ata që kanë dhënë lejen e punës, një anije për të cilën e dimë se është e vjetër 87 vite.”
Policia ka arrestuar kapitenin e anijes, Sotir Fileski, dhe i ka caktuar paraburgim 30-ditor nën akuzën për rrezikim të sigurisë në transport.
Po ashtu policia ka konfirmuar se bilanci përfundimtar i kësaj tragjedie është 15 të vdekur dhe 5 të lënduar.
Është konstatuar se tre turistët, të cilët llogariteshin si të zhdukur, në fakt nuk janë ngjitur fare në anijen e fundosur.
Të gjithë turistët që kanë pësuar janë nga Bullgaria. Pesë turistët e lënduar janë transferuar në Sofje për shërim të mëtutjeshëm.
Trupat e turistëve të vdekur janë transferuar në Institutin për Mjekësi Ligjore në Shkup ku sot pritet të përfundojë obduksioni i tyre.
“Obduksionin një kufomë e zgjat përafërsisht 3 deri 4 orë, Obduksionin janë duke e kryer katër ekipe ekspertësh dhe besojmë se gjatë ditës së sotme do të përfundojmë me këtë proces. Obduksionin janë duke e mbikëqyrur edhe kolegë nga Bullgaria.”
Sot duhet të fillojë me punë edhe një grup punonjësish përbërë prej ekspertëve nga Maqedonia dhe Bullgaria, të cilët duhet t’i verifikojnë shkaqet e fatkeqësisë.
Sipas informatave të para shkak për fatkeqësinë është shkëputja e litarit të baraspeshës që ka shkaktuar edhe fundosjen e anijes.
Dita e sotme në Maqedoni është shpallur ditë zie. Në ambasadën bullgare në Shkup është hapur libër zie në të cilën mund të nënshkruajnë qytetarët, të cilët ndajnë dhimbjen me familjen e personave që kanë pësuar në këtë fatkeqësi. Nga Ohri për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al
Gazetar: Isen Saliu