Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka kthyer për shqyrtim ne kuvend kodin e ri zgjedhor të miratuar me votat e mazhorances dhe socialisteve dy javë më parë. Por kreu i shtetit ka sqaruar pak orë pas daljes së dekretit gjatë një konference me homologun bullgar, se ka mospërputhje mes kushtetutës dhe kodit të ri elektoral për datën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.
Bamir Topi: “Unë edhe sikur të kisha firmosur dekretin për ta miratuar ligjin, kërkon dhe dy javë për të kaluar në fletoren zyrtare dhe nga ai moment përfytyroni se ku kalkulohet 9 muajshi. Pra zgjedhjet që sipas kushtetutës zgjedhjet politike do të behën në pranverë, kalohen të behën në vjeshtë. Pra ka një mospërputhje kushtetuese. Në këto raporte kushtetutë-ligj elektoral, prevalon kushtetuta. Unë kam qenë i detyruar duke qenë garant i kushtetutës që të rikthej në parlament që të bëhet ky korrigjim në mënyrë që të jemi konform detyrimit të kushtetutës. Zgjedhjet politike të përgjithshme në Shqipëri të realizohen brenda afatit kushtetues dhe ti jepet mundësia presidentit që sipas ligjit kodi elektoral të ketë një periudhë të nevojshme të pranueshme. Që të korrespondojë me atë që thotë kushtetuta.”
E interpretuar në këtë mënyrë si çështje teknike presidenti Topi ka kërkuar një kalkulim të kohës së mbajtjes së zgjedhjeve nga ana e kuvendit, duke i kërkuar këtij të fundit të bëjë korrigjimet e nevojshme për shmangien e mospërputhjeve të afateve të vendosura në ligj./tvklan.al