Ngjarja e rëndë në Shkodër ku dyshohet se nëna është vetëmbytur së bashku me tre fëmijët e mitur, është ende e pazbardhur. Deri më tani janë gjetur trupat e tre të vegjëlve në lumin Buna ku edhe ka ndodhur ngjarja ndërsa vazhdojnë kërkimet për trupin e nënës, Alma Arrazit.
Në një lidhje me “Shije Shtëpie” në Tv Klan, gazetarja Emi Kalaja përshkruan se si njihej kjo e fundit nga perosnat me të cilët frekuentohej. Kalaja thotë se për shkak të natyrës së kujdesshme ndaj fëmijëve dhe ruajtjes së imazhit të lumtur familjar, askush nuk e kishte imagjinuar se e ndjera do të kryente aktin fatal ndaj vetes e të vegjëlve.
Emi Kalaja: Për njerëzit që e njohin Almën dhe që unë kam patur kontakte, të cilët e kanë njohur në rrethana të ndryshme, pra mësues të fëmijëve, edukatorë të kopshteve, komshinj, shoqëri që ajo frekuentonte, asnjëherë nuk do ta kishin besuar që Alma do të ndërmerrte një veprim të tillë. E përcaktojnë si një nënë tepër të kujdesshme, të dashur, një grua e qeshur, por që kishte prezantuar familjen e saj si një portret i lumtur familjar, ndoshta natyra e saj introverte për të mos u shprehur, për të mos u hapur nuk kishte arritur të krijonte në opinionin pulbik apo qoftë edhe te familjarët e saj, mundësinë që ajo të ndërmerrte një akt të tillë i cili është një ngjarje tragjike dhe duket një ngjarje që mendja e shëndoshë nuk arrin ta perceptojë.
Kujtojmë se të dielën autoritetet mundën të gjejnë trupin e vajzës 9-vjeçare e cila u pikas në ujërat e lumit Buna nga një peshkatar i rastit. Trupi i saj i pajetë u përcoll këtë të hënë për në banesën e fundit. Ditën e djeshme polumbarët kanë mundur që të gjejnë trupin e pajetë të fëmijës së dytë, vajzës 8-vjeçare.
Në lidhje me ngjarjen është vënë në pranga Erdgys Arrazi, i cili dyshohet se e shtyu drejt vetëvrasjes gruan dhe 3 fëmijët e tij. Shkak dyshohet se ka qenë dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari.
Çifti Arrazi kishin 10 vite të martuar dhe kohët e fundit kishin patur debate ndërsa 39-vjeçarja kishte mësuar se bashkëshorti e tradhtonte./tvklan.al