“Kënga Magjike” është jo vetëm festivali i rrymave të reja muzikore dhe i risive skenike, por gjithashtu është festivali i rikthimeve. Në këtë edicion janë rikthyer jo vetëm kampionë, por edhe këngëtarë të cilët me vite, e dekada i kanë munguar skenës. Ndër to edhe Grazia, e cila rikthehet pas 13 vitesh në “Kënga Magjike”.

Pyetjet në pentagramin e Grazias krijuan shumë momente komike, pasi këngëtarja u sfidua të përcaktonte kafshë, ushqime, sende të ndryshme me anëtarët e jurisë, sipas perceptimit të saj, por pyetja e fundit ishte ajo, e cila zbuloi dhe një histori pas konkurrimit të këngëtares.

Grazia, motivi i kantautorit Stine për këngën e tij “E treta, e vërteta”, rikthehet me një baladë me titull “Jeto i lumtur”. Prej vitesh Grazia dhe Stine janë çifti simpatik i showbizit. Nga ana e Stines nuk kanë munguar as deklaratat dhe as dedikimet muzikore ndaj partneres së tij, por me sa duket edhe kjo e fundit fsheh një histori të patreguar, e cila lidhet me këngën konkurruese në këtë edicion të “Kënga Magjike”.

Këngëtarja tregoi se aktualisht është shumë e lumtur me Stinen, ndonëse kënga ka disa kohë që ishte krijuar. Grazia pohoi se “Jeto i lumtur” është një rrëfim i një periudhe të vështirë mes saj dhe Stines.

Specifikisht Grazia u shpreh:

“Aktualisht jemi shumë të lumtur. Ka disa kohë që është kompozuar. Është një kompozim i bërë në kohën kur ne kemi pasur pak “shkëndija”, të cilat (sot) bënë një zjarr dashurie”.

Vite më parë çifti u përfol për një ndarje publike, e më pas për një ribashkim, i cili konfirmohet edhe në këtë edicion të “Kënga Magjike”./tvklan.al