Punonjësit e shpëtimit kërkuan nën rrënoja për të mbijetuarit pasi streha në hyrje të një stacioni hekurudhor në qytetin serb të Novi Sadit u shemb duke vrarë 14 persona dhe duke plagosur tre të tjerë.


Këto pamje nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin sesi streha shembet në pak sekonda. Shembja e një çatie të gjatë 35 metra ndodhi rreth 70 km në veriperëndim të kryeqytetit, Beograd. Puna për të nxjerrë trupat nga rrënojat vijoji gjatë gjithë mbremjes të së premtes. Një numër i madh i banorëve të Novi Sadit u mblodhën në qendër të qytetit për të ndezur qirinj për 14 bashkëqytetarët që humbën jetën në aksidentin më të madh në stacionin hekurudhor në qytet.

Ministri i Transportit, Ndërtimit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiç tha se është duke u bërë inspektim për të përcaktuar shkakun e rënies së strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad. Ndërkaq presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç shprehu ngushëllimet për familjarët për tragjedinë e rëndë dhe kërkoi hetim e që përgjegjësit të vihen para drejtësisë.

“Ne duhet të bashkohemi dhe të ndihmojmë familjet e viktimave.  Kërkoj nga Prokuroria e Lartë në Novi Sad që personat përgjegjës për atë që ndodhi të ndiqen penalisht dhe të dënohen rëndë. Kjo do të thotë se në të ardhmen do të na duhet të riparojmë të gjithë infrastrukturën tonë shumë më shpesh.”

Qeveria e Republikës së Serbisë e shpalli tre ditë zie për shkak të aksidentit. Ndërtesa në stacionin hekurudhor ishte nënshtruar një rikonstruksioni këtë verë, por se pjesa e çatisë që u shemb nuk ishte përfshirë në projekt.

Klan News