Rey Manaj gjeti golin e parë në Turqi për këtë sezon, me fanellën e Sivasspor, por ndeshja ndaj Gaziantep nuk shkoi ashtu siç ai do të dëshironte, pavarësisht fitores 3-2.
Sulmuesi shqiptar u zëvendësua në pjesën e parë, për shkak të një problemi, i cili do e mbajë jashtë për tre javë. Kjo u konfirmua nga trajneri i Sivasspor, Bulent Uygun, i cili deklaroi se lojtari kishte shfaqur shqetësime para ndeshjes, ndërsa zbuloi se do të jetë jashtë për tre javë.
“Rey Manaj do të mungojë për 3 javë. Ka një dëmtim të shkallës së dytë. Ky dëmtim i Manajt do na hapë shumë probleme. Sulmuesi ishte me ethe gjatë natës dhe temperatura e tij shkonte në 38-39. I thashë që nëse do të luante, rrezikonte dëmtimin, por gjithashtu ia thashë që unë kisha nevojë për të, nëse luante me përkushtim.”, tha Uygun.
Me këtë dëmtim, Manaj rrezikon edhe ndeshjet e muajit tetor me Shqipërinë në Ligën e Kombeve, ndaj Gjeorgjisë dhe Çekisë. /tvklan.al