1500 mjekët e përgjithshëm që operojnë në 412 qendrat shëndetësore në të gjithë vendin, do të nisin trajnime intensive, për t’u bërë mjek familjeje. Sipas specialisteve mjeku i familjes duhet përbëj portën e sistemit shëndetësorë, që do të thotë se pacientët duhet të drejtohen aty fillimisht dhe më pas tek specialisti.
Gazmend Bejtja: “Në qoftë se është i trajnuar mirë, në qoftë se ka të gjithë kapacitetet e nevojshme, arrin që të mbulojë gati 70-75 gati deri në 90% të problemeve shëndetësore në komunitetin ku ai shërben. Aktualisht ekziston një program që gjithë mjekët e përgjithshëm të kalojnë një proces trajnimi, të bëhen mjek familje pra specialist të mjekut të familjes në mënyrë që të kenë të gjithë mundësitë për të ofruar kujdes shëndetësor cilësor.”
Trajnimi i mjekëve të përgjithshëm ka nisur në disa qendra, ndaj mbetet që të vijoj më tej, kështu është shprehur ministria e Shëndetësisë Anila Godo gjatë takimit “Mjekësia e familjes në Shqipëri”, ku merrnin pjesë disa aktorë shëndetësor.
Anila Godo: “Një punë e madhe është bërë edhe për trajnim profesional të mjekëve të përgjithshëm dhe të infermierëve nëpër 6 qarqe të Shqipërisë, nëpërmjet 46 moduleve bazë të mjekësisë familjare. Është detyrë e ministrisë së Shëndetësisë dhe qendrës Kombëtare të Edukimit Mjekësor në vazhdim në bashkëpunim dhe me fakultetin e Mjekësisë që këtë eksperiencë ta shtrijnë duke përfshirë të gjithë personelin që punon kudo në kujdesin shëndetësor parësor.”
Duke u parë si problem mos zbatimi i sistemit të referimit, specialistët kanë hedhur idenë e rritjes së tarifës që duhet paguajnë qetarët që nuk respektojnë këtë sistem.
14 shërbimet e urgjencës në 12 qarqe të vendit, do të restaurohen dhe pajisen me aparatura të reja mjekësore. Kjo do të realizohet në kuadër të marrëveshjes teknike midis Shqipërisë dhe Japonisë, e cila u nënshkrua në ministrinë e Shëndetësisë.
Anila Godo: “Është rënë dakord për ndërhyrjen në 14 sektorë të urgjencës, me një grand japonez prej më shumë se 6 milion euro do të ndërhyhet, duke i pajisur këto sektorë me të gjitha pajisjet bazë, në mënyrë që këta sektorë vërtetë të funksionojnë në një standard mjaft modern.”
Grandi i përfituar nga kjo marrëveshje do të zgjidh problemin e disa urgjencave në vend, që është mungesa e aparaturave.
Arjan Harxhi: “Do të ketë një përmirësim rrënjësor të të gjithë pajisjeve mjekësore. Do të pajisen të gjitha qendrat e urgjencave sipas të gjitha standardeve duke filluar nga pajisjet më të thjeshta deri tek ambulancat me të gjitha pajisjet përkatëse, me të gjitha pajisjet qoftë të teknologjisë së lartë siç janë pajisjet e radiologjisë apo edhe të skanerëve./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami